Vendimi i paralajmëruar nga Donald Trump për tërheqjen e rreth 5 mijë trupave amerikane nga Gjermania ka shkaktuar reagime të menjëhershme në Berlin, por pa alarm të tepruar nga autoritetet gjermane.
Kryetari i Komitetit të Mbrojtjes në Bundestag, Thomas Rowekamp, e cilësoi këtë lëvizje si një “thirrje zgjimi”, duke theksuar se situata nuk përbën arsye për panik. Sipas tij, Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj dhe të forcojë kapacitetet mbrojtëse.
“Partneriteti i sigurisë nuk është një marrëveshje tregtare dhe NATO nuk është pazar”, u shpreh Rowekamp, duke kritikuar deklaratat e përsëritura të presidentit amerikan.
Edhe përfaqësuesja e Partisë së Gjelbër për çështjet e mbrojtjes, Sarah Nanni, bëri thirrje për një përgjigje të koordinuar në nivel evropian, duke theksuar nevojën që vendet e BE-së të veprojnë së bashku përballë ndryshimeve në politikën amerikane.
Nga ana tjetër, zyrtarë të tjerë gjermanë si Peter Beyer dhe Jürgen Hardt theksuan se planet për tërheqjen e trupave janë pjesë e strategjive afatgjata dhe nuk duhet parë si një masë ndëshkuese ndaj Gjermanisë.
Aktualisht, rreth 38 mijë trupa amerikane janë të stacionuara në Gjermani, duke e bërë atë vendin me praninë më të madhe ushtarake amerikane në Evropë. Sipas njoftimeve, tërheqja e një pjese të tyre mund të realizohet brenda 6 deri në 12 muajve të ardhshëm.
Ky zhvillim vjen në një moment tensionesh mes Uashingtonit dhe disa kryeqyteteve evropiane, veçanërisht për qasjen ndaj konfliktit me Irani. Megjithatë, mesazhi nga Berlini është i qartë: Evropa duhet të forcojë pavarësinë e saj në siguri, pa krijuar panik apo përçarje në aleancë.
