Guvernatorët demokratë të shteteve të Uashingtonit, Oregonit dhe Kalifornisë njoftuan të mërkurën krijimin e një aleance të përbashkët për të përcaktuar vetë rekomandimet mbi vaksinimin, duke akuzuar administratën e presidentit Donald Trump se po rrezikon shëndetin e amerikanëve duke politizuar Qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Ky zhvillim erdhi në të njëjtën ditë kur Florida njoftoi se do të heqë gradualisht detyrimin për vaksinat e fëmijëve. Guvernatori republikan Ron DeSantis tha se synon të kufizojë mandatet e vaksinave dhe masat e tjera shëndetësore të vendosura gjatë pandemisë së COVID-19.
Masa të ndryshme po merren ndërsa rastet me COVID-19 po rriten dhe ndërkohë që sekretari i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., ka ndërhyrë në strukturën e CDC-së duke shkurtuar staf dhe buxhet, si dhe ka tentuar të shtyjë përpara politika anti-vaksinë që bien ndesh me dekada kërkimesh shkencore. Pasojat janë thelluar edhe më shumë pasi Shtëpia e Bardhë kërkoi shkarkimin e drejtorit të agjencisë dhe disa drejtues të lartë dhanë dorëheqjen në shenjë proteste.
