Zbardhen provat që tronditin pozitat e Mirlinda Karaçanajt, si i “gllabëroi” AKSHI miliona euro për laboratorët smart në shkolla, SPAK nis zbërthimin e skemave mafioze me tenderat nga zyrtarët e lartë

Data

Skemat mafioze me tenderat nga zyrtarët e lartë që evidentoi kreu i SPAK Altin Dumani gjatë raportit për vitin 2023 para pak javësh kanë nisur të zbërthehen. Në numrin e fundit, Euro Albania raportoi për zbarkimin e SPAK te AKSHI, institucioni që drejtohet nga Mirlinda Karçanaj. Në skaner është një tender me vlerën e 1.7 milionë eurove. Bëhet fjalë për tenderin “laboratorëve smart” në shkollat 9-vjeçare. Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit sekuestruan kompjuterë dhe telefona në kuadër të një hetimi për korrupsion.

Zbardhen pagesat dhe shkeljet

Tenderi për implementimin e laboratorëve SMART u shpall në Agjencinë e Prokurimit Publik në datën 24 korrik. Ai parashikon ngritjen e laboratorëve SMART në 216 shkolla të vendit për një fond total prej 1 miliardë e 669 milionë lekësh. Gara për tenderin u fitua nga kompania Albascan, që deri në vitin 2017 kishte një xhiro të papërfillshme. Së fundmi janë publikuar edhe shifrat për vitin 2023 dhe 2024. Në 15 nëntor 2023, kompania ka përfituar një vlerë prej 121 milionë lekësh, ndërsa përfitimi i fundit është në janar të këtij viti me vlerën një miliardë e 104 milionë lekësh.

AKSHI ndryshoi kriteret e tenderit që parashikonte pajisjen e rreth 216 shkollave në rang vendi me klasa laboratorike. Këto klasa duhet të kishin gjithsej 14-19 laptopë dhe pajisje të tjera për nxënësit, me kosto 80 mijë euro për çdo klasë. Një çmim jashtëzakonisht i fryrë, duke marrë parasysh kostot e tregut. Në garë për tenderin ishin “Sineteza” në bashkëpunim me “Fredi elektronik”, të cilat të dyja bashkë kanë kërkuar 229 milionë lekë ose 1 milion e 909 mijë euro për të realizuar kontratën. Një tjetër subjekt ka qenë “PC store” me ofertë 262 milionë lekë ose 2.1 milionë euro, por fituese ka dalë “Albascan” që kërkoi më shumë para sesa oferta më e ulët. Pra tenderi u fitua nga kompania Albascan, që deri në vitin 2017 kishte një xhiro të papërfillshme. Kompania u krijua në shkurt të vitit 2017 nga dy ortakë, Sokol Cane dhe Etmira Dashi. Të dy këta aksionerë zotëronin nga 50 për qind të aksioneve. Gjatë kohës që ishte në pronësinë e tyre kompania mbeti një biznes i vogël me xhiro të papërfillshme.

Çfarë evidentoi raporti i SPAK?

Hetimet e thelluara të SPAK te AKSHI tregojnë se zyrtarët e lartë duhet të ndihen të frikësuar.  Në raportin e fundit, SPAK tha se zyrtarët e lartë kryejnë veprime të ligjshme në dukje, por të cilat qëllim kryesor kanë përfitimin e paligjshëm. Sipas SPAK veprime korruptive ndjekin procedura të cilat legalizojnë veprimet e përfituesve të fondeve apo shërbimeve publike, në këmbim të përfitimit të paligjshëm, me qëllim, “institucionalizimin” ose formalizmin e një veprimi korruptiv.’ Në shumicën e rasteve sipas SPAK, ky lloj “institucionalizimi”, sidomos kur kemi të bëjmë p.sh. me keqpërdorimin e fondeve publike, është në formë të organizuar dhe i shoqëruar me veprime juridike, të cilat synojnë mbulimin e natyrës së vërtetë të veprimit kriminal. Vihet re, përdorimi gjithnjë e më në rritje i personave juridik, të cilët janë përfitues të këtyre fondeve publike. Sipas SPAK, këta të fundit bëjën ndërrime të shpeshta aksionerësh të shoqërive tregtare, apo ndërrim të emrave tregtar të personave juridik, copëzim të transaksioneve, ku jo rrallë herë, këto veprime kryen në llogari të cilat janë regjistruar jashtë vendit ose në juridiksione “off shore”. Disa nga veprat penale ku tipologjia e kryerjes së tyre del më e qartë janë: Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike; Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë; Veprimet e sofistikuara sipas modelit konçensionar/partneritet publik privat; Korrupsioni pasiv i funksionarëve të drejtësisë; Pastrimi i parave;. SPAK thotë se në rastin e përfituesve të tenderave ‘vihet re se, në skemën e kësaj vepre penale, kryesisht në ato fonde që lidhen me pushtetin lokal, fituesi është i paracaktuar.’ Hetimet e SPAK kanë zbuluar se funksionari i lartë publik, si organizator të skemës korruptive, cakton një të besuar, të cilin e ka emëruar në një post të lartë drejtues në institucionin publik që ai drejton. Ky i fundit, ndan detyrat, ndjek të gjitha veprimet formale dhe jo formale në emër, dhe për llogari të drejtuesit të lartë.

Falsifikimi i dokumenteve

Veçori tjetër që evidentohet gjithashtu, është edhe falsifikimi i dokumentacioneve shoqëruese të të gjithë procesit, që nga çelja deri në ndjekjen e zbatimit të tij. Fondet publike nga zyrtarë të lartë përfitohen edhe nga sipas modelit konçensionar/partneritet publik privat, këtu sipas SPAK, janë aferat korruptive më të sofistikuara. Këtu vihet re ndërhyrje të drejtpërdrejta të funksionarëve të lartë publik, të cilët negociojnë paraprakisht, qoftë pa u shpallur procedura e tenderit/konçesionit me subjektin juridik, i cili më pas do të shpallet fitues.  Ndërkoh shihet se shoqëritë konçesionare janë ato të cilat në “hije” dirigjojnë të gjithë procesin duke përgatitur, jo vetëm dokumentet që ju takojnë atyre sipas ligjit, por dhe ato të cilat duhet të përgatiten nga institucionet zyrtare. Sa i takon skemës së pastrimit të parave, sipas SPAK, është mjaft komplekse, pasi, në rastin e shkeljes së barazisë së tenderëve publik, ka si qëllim, jo vetëm të krijojë një skemë fiktive midis funksionarëve të lartë publik për fshehjen e akteve korruptive, por, mbi të gjitha, ajo shërben edhe si një skemë pastrimi e produkteve të veprave penale.

Tendenca është që, shumësia e veprimeve ligjore dhe transaksioneve financiare që kryejnë personat juridik përfitues të këtyre fondeve, të duken si veprime të ligjshme. Fondet kalojnë në formë pagesash tek shoqëritë tregtare, të cilat kanë lidhje me funksionarin e lartë publik dhe personat e tjerë të përfshirë në këtë skeme korruptive. Këto fonde, nga llogaritë e kompanive, më pas transferohen në llogari të tjera brenda dhe jashtë vendit duke u investuar në pasuri të tundshme ose të patundshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related