Oligarku bullgar me ndikim në vendin e tij Delian Peevski do të kishte dashur prej kohësh të shihte një hetim parlamentar mbi aktivitetet e miliarderit amerikan të bursës dhe filantropit George Soros dhe Fondacioneve të tij të Shoqërisë së Hapur (OSF) në Bullgari. Por prej vitesh ka munguar shumica e nevojshme parlamentare për një hap të tillë. Ndërsa javën e kaluar, më në fund kjo shumicë u arrit.
Një komision i Parlamentit Bullgar i quajtur “Komisioni Ad-hoc për të shqyrtuar aktivitetet e George dhe Alexander Soros dhe fondacioneve të tyre në territorin e Bullgarisë” do të fillojë së shpejti punën e tij.
Komisioni do të raportojë se cilët individë dhe organizata mbështeten nga babai dhe i biri Sorosit dhe kush ka marrë para nga fondacioni i tyre OSF.
Aktualisht nuk janë parashikuar pasoja ligjore kundër individëve dhe organizatave të lidhura me Sorosin dhe fondacionet e tij.
Megjithatë parlamenti bullgar ndonjëherë – sipas modelit të ligjit rus “kundër agjentëve të huaj” vendosur në vitin 2012 – mund të ndërmarrë një përpjekje të tillë. Në shkurt 2025 pati një përpjekje, por për projektligjin nuk u arrit të krijohet shumica e nevojshme për ta kaluar atë në parlament. Derisa për këtë të ketë një shumicë, përpjekje të tilla do të mbeten një lloj propagande dhe demaskimi publik: Fjala është që të mund të denigrohet si “Sorosoid” – kjo është fjala fyese në bullgarisht – kushdo që me gjasë apo faktikisht ka pasur të bëjë me filantropin liberal.
Iniciatori i këtij projektligji, Deljan Peevski, që prej 20 vjetësh është ndër figurat më të spikatura të përfshira në skandale në historinë postkomuniste të Bullgarisë dhe emri i tij lidhet me një sërë pështjellimesh ndërmjet kriminalitetit të organizuar dhe politikës së nivelit të lartë. SHBA-ja dhe Britania e Madhe e kanë sanksionuar biznesmenin dhe manjatin e medias dhe kanë sekuestruar një pjesë të pasurisë së tij jashtë vendit. Por pavarësisht kësaj në Bullgari që është vend anëtar i BE-së Peevski vazhdon të ketë ndikim të fuqishëm në politikë. Në debatin për komisionin hetimor në parlament ai tha: “Ka ardhur koha për një betejë vendimtare. Bota e rreme e Sorosit dhe e Sorosoidëve duhet të shkatërrohet.”
Hungaria vendi i origjinës
Ideja, që akuzat e korrupsionit dhe kriminalitetit kundër tij të përdoren në drrejtimin e kundërt ndaj të gjithë atyre që i kundërvihen, duke i cilësuar si “agjentë të Sorosit” nuk është e Peevskit. Kjo ide ka lindur në Hungarinë e Viktor Orbanit. Atje mediet e afërta me qeverinë për herë të parë në vitin 2013 filluan të listojnë në mënyrë sistematike, se sa para dhe kur kanë marrë organizata të pavarura civle dhe persona kritikë ndaj qeverisë prej fondacionit OSF.
Që nga kriza e migracionit më 2015 qeveria e kryeministrit Orban për herë të parë ushtroi një fushatë të madhe shtetërore kundër Sorosit, gjatë së cilës është përdorur narrativa antisemitiste dhe ekstremiste e djathë. Në vendlindjen e George Sorosit kjo lë një shije veçanërisht të hidhur: Miliarderi i bursës ka prejardhje hungarezo-hebreje dhe i ka mbijetuar si i ri Holokasutit në Budapest. Nga qeveria Orban ai u akuzua, se po planifikon shkëmbimin e popullsisë në Europë ose se mishëron babëzinë ndërkombëtare, dmth. të kapitalit financiar hebre, që zhvat shtetet kombëtare.
Fushatat impenjative të Orbanit kundër Sorosit u kurorëzuan në disa ligje, ndër to edhe i ashtuquajturi “Stop-Soros-Paket” më 2018, përmes të cilit personat kritikë ndaj Orbanit dhe organizatat e pavarura u shkatërruan financiarisht për t’i bërë që të heshtnin. Më vonë ato u shpallën pa përjashtim si antiligjore nga Gjykata Europiane. Por efekti i tyre propagandistik ka mbetur.
Në Hungari megjithatë duket se është konsumuar damkimi i Sorosit si figura e armikut. Në vend të miliaderit të bursës ndërkohë propaganda e Orbanit po përdor Ukrainën si vatrën e re të së keqes. Sidoqoftë fushtatat hungareze kundër Sorosit janë përhapur si model sot pothuajse në të gjitha vendet e Europës Juglindore.
Maqedonia e Veriut
Një ndër vendet e para europiano-lindore, që mori modelin e fuhatës kundër Sorosit pas Hungarisë, ishte Maqedonia (që nga shkurti 2019 e emërtuar Maqedonia e Veriut). Në fillim të vitit 2017 atje u themelua lëvizja “Stop-Operacionin-Soros”, përfaqësuesit e së cilës ishin pranë kryetarit të partisë nacionaliste të djathtë VMRO-DPMNE dhe dorës së fortë në Maqedoninë e atëhershme, Nikola Gruevski. Ky i fundit një vit më parë (2016) ishte detyruar të hiqte dorë nga posti nën presionin e lëvizjes masive civile për reforma dhe kundër korrupsionit. Ai i akuzonte protestuesit kundër qeverisjes së tij si të “drejtuar nga Sorosi”.
