Me 68 vota pro dhe 21 kundër, Kuvendi ka miratuar dje projektligjin për privatizimin e pronës shtetërore. Kalimi për në seancë plenare me shpejtësi i projektligji për privatizimin e pronës shtetërore, ku parashikohet edhe shkëmbimi i saj me private, nxiti debatin që në nisje të seancës plenare të kësaj të enjteje. Opozita kërkoi heqjen nga rendi i ditës, duke akuzuar mazhorancës për klientelizëm dhe korrupsion. “Ju kërkoj ta tërhiqni këtë pr.ligj, është antikushtetues, i porositur që do të marrë edhe ato pak prona shtetërore që i kanë mbetur shtetit, pronat shtetërore do i jepen privatit për kulla. Vetëm kryeministria do mbetet nesër se atë nuk e lëshon, çdo godinë shtetërore do i jepet privatit”, tha deputetja demokrate Dhurata Çupi. Ndërkohë një qëndrimi mbajti edhe deputeti Arbi Agalliu. “Duhet ta tërhiqni, ta kaloni në konsultim publik. Abuzim me pronat publike janë të tmerrshme. T’i dhurosh oligarkut atë që deri dje e mbulonit me ligjin për investitorët strategjik”, deklaroi deputeti Arbi Agalliu. Por, përgjigjen opozita e mori nga deputeti propozues, kryetar i komisionit të Ekonomisë, socialisti Eduard Shalsi. “Pse nuk dëgjove rastet kur qeveria e kaluar kishte shkëmbyer prona me privatin. Synimet janë të qarta, po sanksionojmë një të drejtë që është në Kodin Civil, asgjë më shumë, asgjë më pak”, u shpreh Shalsi. Sipas ndryshimeve ligjore pronat shtetërore, subjekt privatizimi, do të shkëmbehen me ato private nëse do të kërkohen nga biznesi, ndërsa shembja e objekteve brenda këtyre pronave do të bëhet me shpenzimet e privatit.
Pensionet
Ndërkohë po dje me 92 vota pro, asnjë kundër, është ratifikuar marrëveshje me Italinë për pensionet, nga ku do të përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur dje se takimi i parë zbatues i marrëveshjes me Italinë për njohjen e pensioneve do të zhvillohet në datat 18-20 qershor. Gjatë diskutimit në Kuvend të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore”, Gonxhja detajoi disa nga përfitimet që do të kenë qytetarët shqiptarë nga kjo marrëveshje. Sipas tij, “marrëveshja nuk ka prapaveprim dhe nuk mund të ketë një pretendim financiar për vitet e shkuara”. Ministri tha se janë mbi 500 mijë shtetas shqiptar në Itali që janë përfitues të skemës, ndërsa në Shqipëri 4 mijë italianë. Duke folur për marrëveshjet që tashmë janë në fuqi dhe zbatohen aktualisht, Gonxhja theksoi se Shqipëria ka marrëveshje me: Turqinë, Belgjikën, Luksemburgun, Maqedoninë e Veriut, Hungarinë, Republikën Çeke, Gjermaninë, Austrinë, Kosovën, Kanadanë, Bullgarinë, Rumaninë, Zvicrën dhe Kroacinë.
Rajoni
Nga ana tjetër, deputeti demokrat, Tritan Shehu mbajti një interpelancë me ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali për gjenocidin serb. Duke qenë se ndodhej në Mal të Zi, kryeministri Rama ia delegoi interpelancës ministres Spiropali. Pas shumë thirrjeve të tij në Kuvend, Shehu përsëriti edhe njëherë kërkesën e tij për një rezolutë për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë. Shehu hodhi akuza ndaj mazhorancës se nuk ka vullnet për të njohur gjenocidin serb në Kosovë. Ndërkaq në kundërpërgjigje të akuzave të tij dhe pyetjeve të ngritura nga foltorja e Kuvendit, Ministrja Spiropali ka thënë se deklaratat e Shehut nuk janë asgjë tjetër veçse thellësia e problemeve të brendshme të opozitës e reflektuar në sallën e Parlamentit. Spiropali u shpreh se Shqipëria po dëshmohet si faktor i zëshëm dhe i pashmangshëm në rajon për dëshmitë shtetformuese që tregon dhe rakordimin me partnerët ndërkombëtar. Madje deputetja e PS, Elisa Spiropali nga foltorja e Kuvendit deklaroi se mazhoranca refuzon garën e folk-nacionalizmit.
