Një sinjal alarmi nga zemra e Europës tronditi dje Tiranën politike, teksa Brukseli i vendosi vijat e kuqe kryeministrit Edi Rama, duke e paralajmëruar se Reforma në Drejtësi është e paprekshme, e panegociueshme dhe e mbrojtur me fanatizëm nga Bashkimi Europian. Reagimi vjen vetëm një ditë pas sulmit verbal të kryeministrit ndaj prokurores së Shkodrës, Elsa Gjeli, për një çështje ndërtimi në Theth, çka u lexua si një presion i drejtpërdrejtë ndaj SPAK dhe drejtësisë së re. Në një tryezë të nivelit të lartë, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, nuk kurseu fjalët: “Mjaft me presionet!
Drejtësia kërkon pavarësi dhe besim të plotë.” Ai paralajmëroi se çdo përpjekje për të zhbërë progresin në drejtësi mund të rrëzojë përfundimisht shansin e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Reforma në drejtësi është cilësuar si kushti numër një për integrimin, dhe Brukseli ka bërë të qartë se nuk do të tolerojë sulme politike ndaj SPAK-ut. Në mesazhin e tij të fortë, Gonzato vlerësoi pavarësinë e institucioneve të reja dhe i bëri thirrje mazhorancës që të ndalë ndërhyrjet.
