Britani, hijet e rekrutimit të emigrantëve shqiptarë në industrinë e kanabisit

Data

Dhjetëra mijëra shqiptarë kanë emigruar gjatë viteve të fundit në Mbretërinë e Bashkuar. Pjesa më e madhe janë të integruar mirë, por ka mes tyre edhe që kanë zgjedhur rrugën e fitimit të shpejtë dhe pa mund, duke u bërë pjesë të industrisë së paligjshme të rritjes së kanabisit në ambiente të mbyllura, në të ashtuquajturat “shtëpitë e barit”

Pamjet e filmuara nga policia britanike tregojnë arrestimin e njërit prej tyre, një burrë që po e quajmë Milo dhe që pranoi të ndante historinë e tij me BIRN me kushtin e ruajtjes së anonimatit.

“Një shtëpi bari për shqiptarët, për ata që e kanë vuajtur është një ferr i vërtetë. Ata që nuk e dinë dhe ikin me atë mendimin leku letër – siç e bënë kuksiani, për një muaj thotë e bëj lekun letër, është një mashtrim dhe reklamë fantazmë”, tregon ai.

Milo nuk përmbush profilin tipik të emigrantit shqiptar që përfshihet në një “shtëpi bari”. Në mes të 50-ave, ai është i martuar dhe ka tre fëmijë. Përpara se të udhëtonte drejt Mbretërisë së Bashkuar ka punuar në administratën publike dhe është marrë me biznes. Ai udhëtoi drejt Londrës në vitin 2020, me ndihmën e një trafikanti, të cilin e pagoi 16 mijë paund.

“I kam hipur taksisë këtu, kam mbërritur drejt e në Londër. Kemi kaluar tunelin e La Manshit. Jemi futur në bagazh të një ‘Audi A6’, na futi shoferi. Gati 40 minuta kemi qëndruar në bagazh, deri sa kemi arritur në Londër,” tregon ai.

Përmes informacioneve të përcjella nga autoritetet britanike, policia shqiptare ka krijuar një profil për subjektet me risk emigrimi dhe përfshirje në aktivitete të paligjshme. Sipas zv.ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, pjesa më e madhe e tyre janë meshkuj të moshës 20 deri në 45 vjeç.

“Për sa i përket shpërndarjes gjeografike, janë të gjithë zonat, por kryesisht bien në sy zonat me zhvillimit më të ulët ekonomik, si dhe përgjithësisht flasim për kategori që kanë arsim të ulët dhe në ndonjë rast arsim të mesëm,” thotë Lamallari.

Hulumtuesit që e kanë studiuar këtë valë të re migrimi theksojnë se faktorët shtytës janë kompleksë, por logjika e atyre që largohen është e thjeshtë.

“Fillon me ‘unë kam një nevojë, një nevojë për të materializuar ambicien, dua të bëjë diçka në jetë, ose kam një nevojë ekonomike’. Shikoj përreth, dhe shikoj që mundësitë e mia janë tepër të limituara. Unë nuk gjej një mbështetje. Unë nuk besoj tek sistemi shoqëror që më rrethon, qoftë ai politik, qoftë ajo paaftësia e institucioneve. Rrjedhimisht, kjo e vendos individin në një sens dëshpërimi, plogështie edhe mungesë shprese,”shpjegon eksperti i çështjeve të emigracionit, Redion Qirjazi.

Sipas të dhënave të mbledhura nga Observatori i Migracionit në Universitetin e Oksfordit, rreth 16 mijë shqiptarë aplikuan për azil në Britani në vitin 2022, ku rreth 12 mijë arritën me anije të vogla dhe gomone përmes kanalit të La Manshit. Shumica vijnë nga zona të pazhvilluara të Shqipërisë dhe përballen me vështirësi për t’u integruar në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas ekspertit kriminolog, Fabian Zhilla, të rinjtë shqiptarë me nivel arsimor nën mesataren rekrutohen nga grupet kriminale, pasi e kanë shumë të vështirë të integrohen në mënyrë formale në tregun e punës./voa

*Ky material është përgatitur nga gazetarja Klodiana Lala dhe është një bashkëpunim mes Rrjetit BIRN dhe Zërit të Amerikës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related