Kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodjan Braho, ka paralajmëruar se lufta kundër krimit të organizuar do të vijojë pa kompromis, duke theksuar se do të goditet çdo grup kriminal dhe çdo funksionar publik që bashkëpunon me ta.
Mesazhi i tij vjen pas operacionit të zhvilluar në qytetin e Vlorës kundër një rrjeti të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Në një reagim të shpërndarë nga SPAK, Braho theksoi se institucionet e drejtësisë do të veprojnë me gjithë forcën e ligjit ndaj çdo personi të përfshirë në veprimtari kriminale.
“Ne do të vijojmë të godasim me forcën e ligjit krimin e organizuar, si dhe çdo funksionar publik që bashkëpunon apo lehtëson veprimtarinë e krimit të organizuar”, thuhet në mesazhin e tij.
Operacioni i zhvilluar në orët e para të mëngjesit në Vlorë u realizua nga forcat RENEA, FNSH dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, të cilat zbatuan disa masa sigurie të lëshuara nga SPAK.
Gjatë aksionit u godit grupi kriminal i drejtuar nga Inez Hajrulla, i dyshuar për përfshirje në trafik droge dhe disa ngjarje të rënda kriminale, megjithëse vetë Hajrulla nuk u arrestua.
Mes të arrestuarve është edhe Rezart Kuçi, punonjës policie dhe shef seksioni në Policinë Shkencore në Kukës, i cili akuzohet për trafik droge, shpërdorim detyre dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Në kuadër të të njëjtit hetim është arrestuar në Zvicër edhe ish-polici Hamëz Demushi, ndërsa ndaj Flodian Plakut, i njohur si “Pole Qorri”, është komunikuar një tjetër masë sigurie në burg, pasi ai ndodhet i arrestuar për një tjetër vrasje në Vlorë.
Sipas SPAK, hetimet lidhen edhe me dy atentate mafioze të ndodhura në vitin 2021 në Vlorë, ku mbetën të vrarë Gentjan Qarri dhe Bledar Birçaj.
Autoritetet dyshojnë se pas këtyre ngjarjeve qëndron grupi i drejtuar nga Inez Hajrulla, një personazh i njohur për drejtësinë në Vlorë, i cili deri më tani ka arritur t’i shpëtojë disa atentateve dhe operacioneve policore.
