Braçe shpall ambicien për Bashkinë e Tiranës: “Qyteti nuk po qeveriset, s’kam folur me Ramën”

Data

Deputeti socialist Erion Braçe ka konfirmuar publikisht ambicien për të kandiduar në drejtimin e Bashkia e Tiranës, duke deklaruar se kryeqyteti po përballet me mungesë qeverisjeje.

Në një intervistë televizive, Braçe u shpreh se vendimi i tij ka ardhur si përgjigje ndaj shqetësimeve të qytetarëve dhe strukturave socialiste në terren.

“Tirana është e paqeverisshme në këtë moment. Po lëviz kudo dhe po i përgjigjem njerëzve, duke parë nga afër problemet që kanë lindur nga mungesa e qeverisjes,” deklaroi ai.

Braçe theksoi se mbështetja nuk kufizohet vetëm te socialistët e Njësisë 5, por është më e gjerë dhe përfshin edhe qytetarë nga zona të tjera të kryeqytetit.

I pyetur për reagimin e kryeministrit Edi Rama, i cili njëkohësisht drejton edhe Partinë Socialiste, Braçe u shpreh se nuk ka pasur asnjë komunikim me të për këtë çështje.

“As ka bërë koment dhe as kam folur me të. Kandidimi është një gjë normale brenda Partisë Socialiste,” tha ai.

Ai shtoi se vendimi për të hyrë në garë është personal dhe nuk ka ardhur si propozim nga drejtuesit e partisë, por si një përgjigje ndaj situatës në qytet dhe kërkesave të mbështetësve.

Deklaratat e Braçes vijnë në një moment kur debati për drejtimin e Tiranës është intensifikuar, ndërsa pritet që Partia Socialiste të përcaktojë kandidatin zyrtar për zgjedhjet vendore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related