Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar lidhur me situatën politike dhe protestat e fundit, duke theksuar se protesta është një e drejtë legjitime në demokraci, por nuk mund të zëvendësojë funksionin e qeverisjes.
Në një deklaratë publike, Braçe u shpreh se qeveria nuk duhet të humbasë kohë duke reaguar ndaj protestave, por të përqendrohet te detyrimet e saj ndaj qytetarëve.
“Protesta paqësore është një e drejtë legjitime, element thelbësor i demokracisë. Duhet të mësohemi me të dhe ta pranojmë si të tillë. Qeveria nuk është për të qarë protestën; qeveria është për të qeverisur”, deklaroi ai.
Sipas Braçes, vendi po hyn në një periudhë sfiduese për shkak të temperaturave të larta, rrezikut të zjarreve, nevojës për shërbime shëndetësore dhe fluksit të sezonit turistik, ndaj vëmendja e institucioneve duhet të jetë e fokusuar te menaxhimi i këtyre emergjencave.
Ai përmendi disa prioritete që, sipas tij, kërkojnë veprim të menjëhershëm:
- Përgatitja për zjarret dhe emergjencat mjedisore;
- Mbrojtja e shëndetit të të moshuarve, fëmijëve dhe të sëmurëve kronikë gjatë valëve të të nxehtit;
- Siguria dhe mbrojtja e punëtorëve që punojnë në ambiente të hapura;
- Furnizimi me ujë për familjet dhe sektorin bujqësor;
- Përmirësimi i shërbimeve gjatë sezonit turistik.
Braçe ngriti gjithashtu shqetësimin për ritmin e ulët të shpenzimeve publike, duke theksuar se megjithëse të ardhurat buxhetore janë rritur, fondet nuk po kalojnë në ekonomi me ritmin e nevojshëm.
Deputeti socialist kërkoi gjithashtu përshpejtimin e disa politikave sociale, duke përmendur mbështetjen për nënat e fëmijëve me aftësi të kufizuara, përfitimet për familjet me fëmijë të porsalindur dhe rishikimin e lejeve të lindjes.
Në përfundim, Braçe theksoi se protesta ka rrugën e saj legjitime, ndërsa qeveria duhet të fokusohet te ofrimi i shërbimeve dhe zbatimi i angazhimeve të saj.
“Protestuesit po bëjnë punën e tyre. Puna e qeverisë është të qeverisë vendin dhe të shërbejë. Nëse nuk e bën këtë, kot që rri”, përfundoi ai.
