Atmosferë festive ka përfshirë të gjithë Shqipërinë këtë mëngjes, teksa besimtarët myslimanë kanë falur namazin e Fitër Bajrami në sheshet dhe xhamitë kryesore të qyteteve.
Në Durrës, numri i lartë i pjesëmarrësve bëri që ceremonia të zgjerohej përtej xhamisë, duke përfshirë edhe hapësira si sheshi “Liria” dhe zonat përreth. Falja nisi në orët e para të mëngjesit, ndërsa besimtarët u bashkuan në lutje dhe urime.
Edhe në Fier, dhjetëra besimtarë u mblodhën në sheshin qendror, ku u përcollën mesazhe paqeje, harmonie dhe bashkëjetese nga drejtuesit fetarë.
Në Lushnjë, qindra qytetarë morën pjesë në faljen e organizuar në sheshin kryesor, ndërsa u theksua rëndësia e unitetit dhe solidaritetit mes njerëzve.
Ndërsa në Pukë, besimtarët u drejtuan kryesisht drejt xhamive, ku ceremonia kryesore u zhvillua në Xhaminë e Kodër Hanit, me lutje për paqe dhe vazhdim të veprave të mira edhe pas muajit të Ramazanit.
Fitër Bajrami, që shënon përfundimin e muajit të shenjtë të agjërimit, shoqërohet me akte bamirësie si dhënia e sadakasë, si dhe me vizita familjare dhe tryeza festive që forcojnë lidhjet mes njerëzve.
