Mbrëmjen e djeshme vendi u trondit nga dy atentate, njëri në Lezhë, ku u ekzekutua babai i Roan Brahimit, Gjovalind Prendi, dhe tjetri në Tiranë me 4 të plagosur.
Dyshohet se atentatorët kanë ngatërruar shënjestër në Tiranë duke lënë të plagosur nipin dhe djalin e pronarit të “Pelikani Security”, shokun e tyre dhe shoferin. Dyshohet se shënjestër e atentatit të ketë qenë gruaja e Roan Brahimit, së cilës pak orë më parë i vranë vjehrrin në Lezhë.
Por, kush është Roan Brahimi dhe si nisi përplasja e bujshme me Ervis Martinajn, bosin e lojërave të fatit i cili rezulton i zhdukur që prej gushtit 2022 dhe ende nuk dihet asgjë për fatin e tij.
Roan Brahimi, i njohur edhe me emrin Sidorel Prendi nga Pllana e Lezhës, u ekzekutua me armë zjarri në një atentat mafioz mbrëmjen e 9 majit 2024 në Athinë në sy të gruas dhe djalit të tij. Se kush fshihet pas atentatit të Roan Brahimit nuk dihet, por dyshohet se është porositur nga ushtarët e Ervis Martinajt për hakmarrje. Pasi Brahimi dyshohet se ishte ai që porositi vrasjen e Brilant Martinajt, kushëririt të Martinajt.
