Tregtia online në Shqipëri po rritet me ritme të shpejta, por institucionet shtetërore po mbeten pas, duke mos arritur ta kontrollojnë dhe formalizojnë këtë sektor në zgjerim. Kjo situatë, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, po sjell informalitet të lartë dhe humbje të konsiderueshme të të ardhurave për buxhetin e shtetit.
Raporti i KLSH thekson mungesën e një strategjie të qartë dhe koordinimi mes institucioneve përgjegjëse, si Tatimet dhe AKEP. Gjatë vitit 2024, të ardhurat totale të mbledhura nga Tatimet arritën në 3.9 miliardë euro, por vetëm 0.084% e tyre erdhën nga aktiviteti online, një shifër që nuk përputhet me rritjen reale të konsumit digjital.
Edhe në dogana situata mbetet problematike. Në vitin 2023, të ardhurat nga tregtia online përbënin vetëm 2.2% të totalit doganor, pavarësisht shtimit të ndjeshëm të porosive postare nga platformat ndërkombëtare.
KLSH kërkon që brenda marsit 2026 të hartohet një strategji kombëtare për tregtinë elektronike, me objektiva të qarta, ndarje përgjegjësish institucionale dhe masa konkrete për uljen e informalitetit, mbrojtjen e konsumatorit dhe rritjen e të ardhurave fiskale.
