Blushi: Dosja ndaj Metës është bosh, SPAK pranoi se akuza për lobimin ka rënë

Data

Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka hedhur akuza të forta ndaj SPAK dhe procesit hetimor ndaj Ilir Metës, pas seancës së zhvilluar në Gjykatën e Posaçme.

Në deklaratën për mediat, Blushi e cilësoi hetimin si “skandaloz” dhe pretendoi se ndaj Metës nuk ekziston asnjë provë penale.

Sipas tij, gjatë seancës është pranuar nga prokuroria se akuza që lidhej me lobimin për “McKeon Group” nuk qëndron më.

“Prokurori pohoi në sallën e gjyqit se akuza për McKeon Group ka rënë, pasi autoritetet amerikane nuk kanë evidentuar asnjë shkelje ligjore”, deklaroi Blushi.

Ai shtoi se ndaj Metës nuk ka prova për lidhje me afera korruptive, biznesmenë apo pasuri të paligjshme.

“Nuk ka asnjë fakt, asnjë provë penale, asnjë mesazh telefonik dhe asnjë cent të sekuestruar. Ka vetëm një dosje bosh”, u shpreh deputeti i Partisë së Lirisë.

Blushi kritikoi gjithashtu kushtet e paraburgimit të Metës dhe mënyrën e zhvillimit të procesit gjyqësor, duke pretenduar se mediat nuk po lejohen të ndjekin plotësisht seancat.

Ai kërkoi që gjyqi të transmetohet drejtpërdrejt, duke argumentuar se ligji nuk e ndalon një gjë të tillë.

Në deklaratën e tij, Blushi akuzoi kryeministrin Edi Rama për ndërhyrje politike në çështje dhe pretendoi se mbajtja në burg e Metës është një vendim politik.

Ndërkohë, SPAK nuk ka reaguar publikisht lidhur me deklaratat e deputetit të Partisë së Lirisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related