Situata në aksin kombëtar Librazhd–Prrenjas është përkeqësuar më tej gjatë orëve të fundit, pasi ndërhyrja e fadromave të kompanisë ANK shpk, e angazhuar në ndërtimin e segmentit rrugor pjesë e Korridorit Tetë, ka sjellë shembje të reja dhe hedhje masive gurësh e dherash në trasenë e rrugës.
Punimet kanë nisur pas rrëshqitjeve të mëparshme që bllokuan qarkullimin në zonën e njohur si Kthesat e Dragostunjës. Megjithatë, ndërhyrja për shembjen e pjesës së konsideruar të rrezikshme ka rezultuar në rritje të materialeve inerte mbi rrugë, duke e mbajtur aksin drejt juglindjes të bllokuar edhe pasditen e sotme.
Si pasojë e këtyre punimeve, qarkullimi vijon të jetë i kufizuar dhe në disa segmente praktikisht i pamundur. Drejtuesit e mjeteve raportojnë rrezik të shtuar, mungesë orientimi dhe pritje të gjata, ndërsa shqetësimi mbetet i lartë për udhëtarët e bllokuar prej orësh.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve në terren, deri në normalizimin e plotë të situatës. Ndërkohë, qytetarët kërkojnë ndërhyrje më të koordinuar dhe masa reale sigurie, pasi një aks jetik kombëtar po kthehet sërish në pikë rreziku dhe paralizimi.
