Blendi Klosi, aktualisht sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe një nga figurat më të fuqishme të mazhorancës, është emëruar drejtues politik i PS për Qarkun e Dibrës. Prezantimi i zotit Klosi në këtë qark është bërë këtë fundjavë, ndërsa e pranishme ka qenë dhe zv/kryeministrja Belinda Balluku, e cila më herët ka qenë e deleguar e PS për këtë qark.
Por, ky emërim është shumë më shumë se thjesht një ecuri administrative, pasi ai është një mesazh i qartë për forcimin e kontrollit të Klosit brenda Partisë Socialiste dhe një goditje për ndikimin që ka pasur deri tani zv/kryeministrja Belinda Balluku në këtë zonë. Sipas burimeve të besueshme, Balluku ka tentuar të ruajë ndikimin e saj në Dibër edhe pasi ka marrë një pozicion tjetër si drejtuese politike e Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit. Por që me ardhjne e Klosit, fuqia e Ballukut duket se është venitur.
Prapaskenat
Zhvillimet më të fundit që vijnë nga qarku veri-lindor, kanë të bëjnë me një pastrim të thellë të strukturave të Partisë Socialiste nga njerëzit që janë konsideruar të afërt me Ballukun. Sipas informacioneve të brendshme, Klosi, me mbështetjen e fortë të kryesocialistit dhe kryeministrit, Edi Ramaa, ka nisur një aksion të koordinuar për të larguar nga pozitat kyçe të PS individë, të cilët kishin shërbyer si mbështetës të ministres së Energjisë dhe Transporteve, Belinda Balluku.
Mësohet se me urdhër të Klosit janë shkarkuar 2 kryetarë të PS në qarkun Dibër dhe në vend të tyre janë emëruar dy të rinj. Mësohet se largimi i dy figurave të rëndësishme nga drejtimi i degëve të Partisë Socialiste në Dibër, është një hap që vjen pas tensioneve të vazhdueshme mes grupeve të interesit brenda partisë. Pra ky pastrim dhe rivendosja e Klosit në Dibër duket se i shërben edhe një strategjie më të madhe për forcuar pozitat e Klosit dhe të Ramës në të gjithë vendin, duke e bërë Dibrën një pikë kyçe të kontrollit politik. Pra largimi i njerëzve të Ballukut nga struktura e PS nuk është thjesht një lëvizje për të fituar pozita, por është një luftë e vërtetë për pushtet, e cila ka nisur në hije, por që tani është bërë e dukshme dhe e fuqishme.
Mesazhi
Ndërkohë ky kalim i zotit Klosi ka shpërbërë çdo shpresë për Ballukun dhe njerëzit e saj për të ruajtur një pjesë të ndikimit në Dibër. Prapaskenat janë të trazuara, duke krijuar një peizazh politik të pasigurt për shumë aktorë të tjerë që mund të ndjehen të margjinalizuar nga kjo përpjekje për të konsoliduar pushtetin brenda Partisë Socialiste. Po kështu, duhet theksuar që ky rivalitet ka ndikuar shumë edhe në dinamiken politike të PS, duke krijuar një ndarje të thellë mes grupeve të ndryshme të influencës. Me Klosin në krye, Partia Socialiste do të tentojë të shënojë një kthesë në qarkun e Dibrës, duke përforcuar pozitat dhe duke hequr gjithçka që lidhet me periudhën e drejtimit të Ballukut.
Por kjo lëvizje nuk është vetëm një hap përpara për Klosin dhe Ramën, por një luftë e hidhur për kontrollin e PS, një betejë që mund të ketë pasoja të mëdha për stabilitetin politik të mazhorancës, në një moment kur Partia Socialiste ka nevojë të ruajë unitetin e brendshëm dhe të forcojë mbështetjen e popullit. Kështu që për Dibrën, kjo është një periudhë shumë e trazuar dhe se për çdo zhvillim të ri, një pyetje mbetet e hapur: A do të dalin më të fortë Klosi dhe aleatët e tij, apo ndikimi i Ballukut do të lërë gjurmët e tij edhe në këtë qytet? Megjithatë mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
Reagon Klosi
Nga ana tjetër, sa i takon prezantimit si drejtues politik i Partisë Socialiste për qarkun e Dibrës, një reagim në rrjetet sociale e ka bërë këtë fundjavë edhe vetë zoti Blendi Klosi. “Asambleja e Partisë Socialiste DIBËR. Me Belindën, deputetët, përfaqësuesit e katër bashkive të qarkut dhe socialistët e Dibrës ku pata kënaqësinë, privilegjin dhe përgjegjësinë të prezantohem si drejtues Politik. Jam besimplotë që vijimi i punëve duke u gjendur pranë çdo qytetari, mbështetja e strukturave tona në të gjithë Qarkun do të përkthehen në fitore për PS në Dibër dhe të gjithë Shqipërinë në zgjedhjet e 11 Majit. #Krenar për PS. #Vetëm Përpara#SHQIPËRIA2030”, shkruan Klosi.
