Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka shpjeguar arsyet pse mazhoranca socialiste votoi Endrit Shabanin në krye të institucionit të Avokatit të Popullit.
Në një deklaratë për mediat, Balla theksoi se Shabani ishte një kandidaturë e propozuar nga opozita dhe se procesi i zgjedhjes u zhvillua në mënyrë transparente, duke e cilësuar atë si një nga rastet më të rregullta të përzgjedhjes së Avokatit të Popullit ndër vite.
“I uroj suksese Avokatit të ri të Popullit. Të enjten duhet të vijë në Kuvend për t’u betuar mbi Kushtetutë. Kjo është një kandidaturë që vjen nga opozita,” u shpreh Balla.
Ai sqaroi se për zgjedhjen e Avokatit të Popullit nevojiteshin edhe votat e mazhorancës dhe se Partia Socialiste kishte shprehur që në fillim gatishmërinë për të mbështetur një nga kandidatët e propozuar nga opozita.
“Në këtë proces erdhën gjashtë kandidatë nga opozita dhe njëri prej tyre u votua. Ne kemi thënë qartë se do të votonim një nga kandidatët e propozuar prej tyre. Ky është ndoshta rasti më i mirë i zgjedhjes së Avokatit të Popullit,” tha ai.
Balla nuk i kurseu kritikat ndaj opozitës për përplasjet e brendshme pas zgjedhjes, duke nënvizuar se përgjegjësia për situatën i takon vetë asaj.
“Fakti që po hahen dhe po grihen me njëri-tjetrin tregon se e kanë fajin vetë,” përfundoi kreu i grupit parlamentar të PS.
