Bledian Koka: Belinda Balluku përdoret si “monedhë këmbimi” nga Edi Rama për të testuar kufijtë e SPAK

Data

Gazetari Bledian Koka ka ngritur akuza të forta ndaj mënyrës se si po trajtohen hetimet për korrupsionin në nivele të larta, duke përfshirë edhe figurën e Belinda Balluku.

I ftuar në një emision televiziv, Koka u shpreh se fati politik i Ballukut nuk duket të jetë i mbrojtur nga Edi Rama, por përkundrazi, sipas tij, ajo po përdoret si një “monedhë këmbimi” për interesat politike të kryeministrit.

Sipas Kokës, Balluku shërben si një “letër lakmuesi” për të testuar deri ku mund të shkojë SPAK në hetimet për korrupsionin në nivelet më të larta të pushtetit. Ai shtoi se kjo situatë ngre pikëpyetje mbi pavarësinë dhe fuqinë reale të këtij institucioni.

Në qendër të diskutimit është edhe një shumë prej rreth 1.1 miliardë eurosh, për të cilën pretendohet se është abuzuar gjatë projekteve infrastrukturore të lidhura me drejtimin e Ballukut. Koka paralajmëroi se pasojat ekonomike të këtyre projekteve mund të rëndojnë mbi qytetarët për një kohë të gjatë.

Ai kritikoi gjithashtu cilësinë e investimeve publike, duke përmendur probleme në rrugë dhe infrastrukturë, ndërsa theksoi se ka kaluar koha e justifikimit “vidhet, por bëhet punë”, pasi sipas tij, sot situata është “vidhet dhe punë nuk bëhet fare”.

Koka krahasoi situatën e Ballukut me raste të mëparshme të zyrtarëve të lartë të goditur nga drejtësia, si Erion Veliaj dhe Saimir Tahiri, duke sugjeruar se ajo mund të ketë një fat të ngjashëm.

Në fund, ai ngriti dyshime edhe mbi drejtimin aktual të SPAK-ut, duke përmendur emrin e Altin Dumani dhe duke pyetur nëse institucioni po funksionon me të njëjtën forcë dhe pavarësi si më parë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related