Bizneset dhe qytetarët po përballen prej javësh me bllokim serioz të shërbimeve online, teksa platforma e-Albania vijon të mos funksionojë normalisht. Dhjetëra shërbime bazë janë të paarritshme ose ngecin pa afat, duke shkaktuar kaos administrativ dhe irritim të fortë, sidomos në një periudhë kur kërkesat rriten ndjeshëm.
Aplikimet për pasaporta (të reja dhe rinovime), regjistrime biznesi në QKB, procedura të Gjendjes Civile (martesa, lindje), si edhe shërbime në Kadastër e Tatime, ose nuk hapen fare, ose mbeten “në pritje”. Në portal vazhdon të shfaqet njoftimi për “mirëmbajtje dhe përmirësim sistemi”, pa një afat të qartë rikthimi në normalitet.
Goditja është e drejtpërdrejtë për bizneset dhe profesionistët e lirë, të cilët varen pothuajse tërësisht nga shërbimet digjitale për deklarime, aplikime, pagesa dhe përmbushje detyrimesh ligjore. Aleanca për Profesionistët e Lirë ka denoncuar pasojat: vonesa procedurale, pasiguri juridike, rrezik penalitetesh dhe kosto shtesë.
Kërkesat kryesore janë:
- transparencë për shkaqet reale dhe kohëzgjatjen e ndërprerjeve;
- forcim i sigurisë dhe qëndrueshmërisë së sistemeve (back-up dhe redundancë);
- procedura alternative dhe shtyrje automatike të afateve ligjore kur platformat nuk funksionojnë;
- komunikim i qartë dhe në kohë me përdoruesit.
Problemet prekin edhe individët: nga regjistrimi i fëmijëve të porsalindur te aplikimet për dokumente identifikimi. Në kulmin e rikthimit të emigrantëve për festat e fundvitit, bllokimi po e kthen çdo dokument në një betejë me sistemin.
Pa afate, pa zgjidhje dhe pa sqarime, “mirëmbajtja” po përkthehet në humbje kohe, para dhe besimi për mijëra qytetarë dhe biznese.
