Bisedime vendimtare në Miami, SHBA dhe Rusia kërkojnë rrugëdalje nga lufta në Ukrainë

Data

Vëmendja e diplomacisë ndërkombëtare është përqendruar sot në Miami, ku po zhvillohet një raund i ri bisedimesh mes përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, në përpjekje për t’i dhënë fund luftës që po hyn në vitin e pestë në Ukrainë.

Takimet zhvillohen në një moment delikat, teksa Rusia ka intensifikuar sulmet me dronë dhe raketa ndaj porteve strategjike ukrainase, duke goditur infrastrukturën energjetike dhe korridoret jetike të furnizimit. Kjo përshkallëzim ushtarak po ndodh paralelisht me përpjekjet diplomatike amerikane për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.

I dërguari rus për çështje ekonomike, Kirill Dmitriev, konfirmoi se ndodhet në Miami për bisedime që synojnë përfundimin e konfliktit. Ai pritet të takohet me të dërguarin special të presidentit amerikan, Steve Witkoff, si dhe me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit Donald Trump. Sekretari amerikan i Shtetit dhe këshilltari për sigurinë kombëtare, Marco Rubio, ka lënë të hapur mundësinë e pjesëmarrjes së tij në këto diskutime.

Në të njëjtën kohë, delegacione nga Ukraina dhe disa vende evropiane kanë mbërritur në Miami për konsultime paralele me palën amerikane. Burime diplomatike bëjnë me dije se, për momentin, nuk pritet një takim i drejtpërdrejtë mes përfaqësuesve rusë dhe atyre ukrainas apo evropianë, për shkak të tensioneve të larta mes palëve.

Zelensky propozon format trepalësh

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se SHBA-ja ka propozuar një takim trepalësh mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara në Miami. Sipas tij, një format i tillë do të kishte kuptim vetëm pas një vlerësimi të rezultateve të bisedimeve aktuale dhe nuk përjashtohet përfshirja e përfaqësuesve evropianë.

Zelensky theksoi gjithashtu se vendimet për zgjedhjet në Ukrainë nuk mund të varen nga Kremlini, duke reaguar ndaj sinjaleve të Rusisë se mund të ndalojë sulmet gjatë një dite zgjedhjesh. Ai bëri të qartë se zgjedhje nuk mund të mbahen në territoret e pushtuara nga Rusia.

Takime SHBA–Ukrainë dhe përfshirja e Evropës

Një ditë më parë, Witkoff dhe Kushner zhvilluan takime pranë Miamit me negociatorin ukrainas Rustem Umerov dhe përfaqësues nga Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania. Pas këtyre bisedimeve, Umerov deklaroi se palët janë dakord të vazhdojnë bashkëpunimin në të ardhmen e afërt.

Përfshirja direkte e vendeve evropiane shënon një zhvillim të ri krahasuar me raundet e mëparshme diplomatike. Nga ana e tij, Marco Rubio theksoi se asnjë marrëveshje nuk do t’i imponohet Ukrainës dhe se çdo zgjidhje duhet të pranohet nga vetë palët në konflikt.

Lufta vazhdon në terren

Ndërsa zhvillohen bisedimet, situata në terren mbetet e rëndë. Autoritetet ukrainase raportojnë se një sulm me raketë pranë Odesës ka lënë shtatë të vdekur dhe 15 të plagosur. Rusia, nga ana tjetër, pretendon se ka marrë nën kontroll dy fshatra në rajonet Sumy dhe Donetsk. Kievi ka njoftuar gjithashtu se ka goditur dy avionë luftarakë rusë në një aeroport në Krimenë e pushtuar.

Presidenti amerikan ka ushtruar presion që procesi i negociatave të përshpejtohet, ndërsa Zelensky ka folur për përparim drejt një kompromisi me Uashingtonin. Megjithatë, ai paralajmëroi se Rusia po përgatitet për një tjetër vit lufte në vitin 2026.

SHBA-ja ka propozuar prej më shumë se një muaji një plan paqeje për konfliktin e nisur në shkurt 2022. Ky plan, i rishikuar pas konsultimeve me Kievin dhe partnerët evropianë, pritet të përfshijë lëshime territoriale nga Ukraina në këmbim të garancive të sigurisë nga Perëndimi, megjithëse detajet mbeten ende të pazbuluara.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related