BIRN: Rasti Ndreca si simbol i antishtetit

Data

Më 19 tetor, kryeministri Edi Rama pati një nga shpërthimet e tij të rëndomta të protestës kundër kritikave, të cilat ai i konsideron si shumë të padrejta në lidhje me partitizimin e tejskajshëm të administratës publike.

“E trajtojnë administratën publike si një vend ku nuk ka njerëz, por vetëm dele që janë mbledhur nga kopetë e partive, domethënë, një tmerr,” deklaroi Rama para se të deklarohej krenar për çfarë ka arritur.

Për këdo që e ka harruar, ndërtimi i një administrate publike me qëllim ndarjen e shtetit nga partia në pushtet ka qenë një nga dymbëdhjetë kushtet që Bashkimi Evropian vendosi këtu e pesëmbëdhjetë vjet të shkuara si parakusht për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dhe miratimi me kompromis në vitin 2012 i një ligji për administratën publike, – ku sanksionohet se një numër postesh të larta publike, plotësohen në bazë të kritereve profesionale, (nënkupto: me konkurs të hapur) dhe mbrohen nga shkarkimet e padrejta nga puna duke i garantuar shpërblime të majme apo kthim në detyrë me vendim gjykate pas pushimit të padrejtë, – u miratua nën presionin e Brukselit dhe me kompromis mes PD-së dhe PS-së.

Më shumë se një dekadë më pas, Komisioni Evropian në Pozicionin Negociues [link] veçon si problem Reformën e Administratës Publike dhe vëren se Shqipëria është mesatarisht e përgatitur në këtë fushë. Termi mesatarisht i përgatitur është në gjuhën e BE-së një nga pesë shkallët e vlerësimit të gjendjes së një vendi kandidat në një fushë të caktuar. Shkalla e parë është Hapat e parë, ndërsa shkalla më e lartë, pra pika kur vendi kandidat është gati për anëtarësim, është I përparuar. Nga gjendja aktuale Shqipëria duhet të kalojë në shkallën Nivel i mirë dhe pastaj në Nivel i përparuar.

Të jesh në një gjendje të caktuar në rrugën e integrimit Evropian është një gjë dhe drejtimi dhe shpejtësia e lëvizjes është një gjë tjetër. Me pak fjalë, në mënyrë që të përdorim kutin e Brukselit për përgatitjen e administratës, na duhet të shohim se ku ka qenë Shqipëria, fjala vjen, në ditën që Edi Rama mori pushtetin dhe ku është sot. Dhe konkluzioni është që jemi në vendnumëro. Në Raportin e Progresit të vitit 2015, kohë kur ky sistem pikëzimi filloi të përdorej nga zyrtarët e Brukselit, vlerësimi për gjendjen e administratës civile në Shqipëri ishte nivel mesatarisht i përgatitur. [Link] Ky është i njëjti vlerësim me gjendjen aktuale. Pra, ndërsa Rama pretendon se niveli i administratës së tij është që të çuditemi fare se sa mirë, diçka që atë e bën “krenar”, dukshëm ky pretendim nuk ndahet nga Bruseli.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related