Pas një mbledhjeje të gjatë të Grupit Parlamentar të PS, kryeministri Edi Rama shkarkoi Belinda Ballukun nga detyrat e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Sipas raportimit të BIRN, portofoli i Infrastrukturës dhe Energjisë i është besuar Enea Karakaçit, i cili më parë ka qenë drejtor i OSHEE-së dhe vartës i Ballukut. Ndërkohë, posti i zv.kryeministres do të mbahet nga Albana Koçiu.
Ndryshimet përfshijnë edhe disa lëvizje të tjera në kabinet: Ferit Hoxha zëvendëson Elisa Spiropalin në Ministrinë e Jashtme, Ermal Nufi merr drejtimin e Mbrojtjes, ndërsa Besfort Lamallari dhe Toni Gogu ndërrojnë portofole mes Drejtësisë dhe Brendshme. Erjona Ismaili emërohet ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Lëvizjet vijnë në një klimë tensioni mes qeverisë dhe SPAK, për shkak të hetimeve ndaj Ballukut dhe zyrtarëve të tjerë të lartë. Kryeministri Rama ka kritikuar publikisht mënyrën e veprimit të prokurorisë dhe ka paralajmëruar ndryshime në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale, ndërsa mazhoranca ende nuk ka dhënë një qëndrim përfundimtar mbi kërkesën për heqjen e imunitetit të Ballukut.
