BIRN: Plehrat “mbytin” Kukësin, kriza e mbetjeve pa zgjidhje

Data

Zona e njohur si “Lama e Fluturës” në periferi të Kukësit është kthyer në një fushë të përmbytur nga mbetjet urbane, ndërsa një kanal me ujë të ndotur – liksiviatë – rrjedh drejt liqenit të Fierzës, duke shkaktuar ndotje të rëndë mjedisore.

Menaxhimi i mbetjeve në Bashkinë e Kukësit ndodhet prej vitesh në krizë. Venddepozitimi aktual pranë fshatit Myç-Mamëz është thuajse i mbushur, ndërsa autoritetet lokale pranojnë vështirësitë për të krijuar hapësira të reja depozitimi. Banorët ankohen për djegien e mbetjeve gjatë verës, ndotjen e ajrit dhe dëmtimin e kullotave.

Megjithëse në vitin 2022 përfundoi ndërtimi i landfillit të ri në Bozhë me financim prej 270 mijë eurosh, ai vijon të mos përdoret. Ndërkohë, projekti rajonal për menaxhimin e integruar të mbetjeve, që përfshin ndërtimin e një landfilli në Pobreg dhe dy stacione transferimi, mbetet në letër.

Plani për landfillin e ri në Pobreg kundërshtohet nga banorët, të cilët kërkojnë transparencë dhe garanci për mbrojtjen e mjedisit. Projekti parashikon një kapacitet prej 250 mijë m³ për 25 vite, ndërsa financimi prej 19 milionë eurosh nga Bashkimi Europian dhe Agjencia Franceze për Zhvillim synon përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve në Kukës dhe Gjirokastër.

Ndërkohë, ndotja e liqenit të Fierzës vijon të përkeqësohet. Sipas peshkatarëve dhe ekspertëve mjedisorë, derdhja e ujërave të ndotura ka ndikuar në pakësimin e peshkut dhe dëmtimin e biodiversitetit. Inxhinierë mjedisi paralajmërojnë se situata është alarmante dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur pasoja të pakthyeshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related