Aktivistja shqiptaro-amerikane Evi Kokalari ka reaguar ashpër në rrjetet sociale ndaj drejtimit të Partia Demokratike e Shqipërisë, duke akuzuar Sali Berisha dhe të birin e tij, Shkëlzen Berisha, për “pengmarrje” të partisë.
Në reagimin e saj, Kokalari deklaroi se ndihet fajtore për mbështetjen që i dha Berishës gjatë procesit të Rithemelimit në vitin 2021, duke shtuar se nuk do t’i ishte bashkuar atij nëse do të kishte ditur, sipas saj, “skenarin e fshehtë” për kontrollin e PD-së.
Ajo pretendoi se pas Kuvendit të 30 prillit 2022 kishte marrë informacione dhe prova për manipulime të votës dhe orientim të procesit brenda partisë.
Sipas Kokalarit, përveç Berishës dhe Shkëlzen Berishës, pjesë e këtij grupi janë edhe deputetët Albana Vokshi, Flamur Noka dhe Belind Këlliçi, të cilët ajo i quajti “vasalë”.
Në reagimin e saj, aktivistja sulmoi edhe Ivi Kaso, duke pretenduar se ai ishte “i përzgjedhur” nga Shkëlzen Berisha dhe se figura të caktuara në PD nuk janë legjitime, pasi sipas saj nuk janë zgjedhur me votë reale.
Kokalari deklaroi gjithashtu se ish-kreu i PD-së, Lulzim Basha, nuk e humbi partinë nga Berisha, por si rezultat i betejës së saj politike.
Në fund të reagimit, ajo paralajmëroi zhvillime të forta në Partinë Demokratike, duke u shprehur se “ajo parti do të kthehet” në duart e saj.
Deklaratat e Kokalarit pritet të shtojnë tensionet e brendshme në radhët e opozitës, në prag të zhvillimeve të reja politike dhe zgjedhore në PD.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa fajësia e tij të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
