BIRN: “Bukuroshja e Durrësit” rikthehet në qytetin bregdetar pas 45 vitesh

Data

Muzeu Kombëtar Arkeologjik i Durrësit do t’i mbajë dyert e mbyllura edhe për disa muaj. Specialistët kanë nisur punën për sistemimin e objekteve në katin e parë të godinës, ekspozita e të cilit i kushtohet periudhës së antikitetit, ndërsa ende nuk kanë filluar të trajtohen objektet e periudhës së mesjetës, që do të instalohen në katin e dytë.

Oborri i muzeut, që do të ketë pamjen e një parku arkeologjik, thuajse ka përfunduar, ndërsa po projektohet një shteg këmbësorësh prej disa qindra metrash që do të lidhë muzeun me vendzbulimin e banesës romake, në themelet e ish-shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti”. Ky shteg do të shërbejë për vizitat e turistëve në të dy objektet e rëndësishme të qytetit antik.

Punimet restauruese në Muzeun Arkeologjik të Durrësit kanë nisur në vitin 2022. Megjithë vonesat e shkaktuara gjatë realizimit të projektit të financuar nga programi EU4Culture, të cilat do ta vonojnë vënien në funksion të muzeut, një lajm i mirë lidhet drejtpërdrejt me një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike të fillimit të shekullit të kaluar.

Mozaiku i njohur me emrin “Bukuroshja e Durrësit” do të vendoset së shpejti në hyrje të Muzeut Arkeologjik Kombëtar të qytetit 3-mijëvjeçar. Me një urdhër të ministrit të Kulturës, Blendi Gonxhja, janë vënë në lëvizje institucionet për transferimin e mozaikut, i cili prej vitesh zbukuronte hyrjen e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.

I njëjti ekip specialistësh që e transferoi dhe e instaloi mozaikun në Tiranë në vitin 1981 do ta sjellë atë sërish në Durrës, qytetin ku u zbulua në vitin 1916 nga arkeologu ushtarak austriak Camillo Praschniker.

“Bukuroshja e Durrësit” konsiderohet mozaiku më i shquar i zbuluar në Shqipëri. Ai u gjet rastësisht gjatë punimeve të ushtrisë austriake në Luftën e Parë Botërore, për hapjen e një transheje fortifikuese në qendër të Durrësit. Praschniker, i cili ishte edhe arkeolog, u kujdes që shtresa e mozaikut të ruhej dhe botoi fotografinë e tij, duke e cilësuar një kryevepër të artit figurativ.

Më pas, mozaiku u mbulua përsëri dhe humbi për 33 vjet. Në vitin 1959, falë këmbënguljes së arkeologut durrsak Vangjel Toçi, ai u rizbulua në thellësinë 3.8 metra, në themelet e një shtëpie dykatëshe, vetëm 150 metra pas godinës së teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Mozaiku u transferua në Tiranë në vitin 1981 për t’u instaluar në hyrje të Muzeut Historik Kombëtar. Pas 45 vitesh, ai do të rikthehet në Durrës, në qytetin ku u zbulua, duke u bërë pjesë qendrore e Muzeut Arkeologjik Kombëtar dhe një nga simbolet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related