Votimi i ligjeve në seancën e 7 marsit në Kuvend është anuluar. Pas kërkesës së Rithemelimit se nuk pati kuorum për votimin e ligjeve, Sekretariati i Etikës, me shumicë votash anuloi dje votimin, ndërsa ligjet sipas rregullores do të votohen në seancën e radhës plenare, megjithatë pritet një njoftim zyrtar. Në nisje të punimeve në seancën e 7 marsit, prezencën në sallë e konfirmuan vetëm 68 deputetë socialistë, ndërsa kuorumi i nevojshëm për miratimin e ligjeve, sipas rregullores do të duhet të ishte 71, pra më shumë se gjysma e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Kështu që përballë kësaj situate, dje Sekretariati i Etikës në Kuvendin e Shqipërisë ka anuluar seancën parlamentare të 7 marsit, ku u miratuan 5 projektligje, mes tyre edhe ai për investimet strategjike. Pas përfundimit të mbledhjes, deputeti Saimir Korreshi, e cilësoi si fitore të vogël anulimin e ligjeve, e shtoi se arroganca se si janë bërë këto votime gjatë gjithë kohës do verifikojmë gjithë votimet e tjera gjatë kohës që kemi qenë në aksionin opozitar. “Me konsensus të 4 anëtarëve, të 4 kanë votuar pro anulimit të votimit të 5 pr/ ligjeve të datës 7 mars. Pretendimi ynë gjeti mbështetje. Sot është një fitore e vogël në dukje, por arroganca se si janë bërë këto votime gjatë gjithë kohës do verifikojmë gjithë votimet e tjera gjatë kohës që kemi qenë në aksionin opozitar. Besoj se do jenë në seancën e radhës, kalojnë për votim në seancën e radhës sipas rregullores. I mbetet kuvendit ta caktojë. Nuk mund të ketë në Kuvend egoizëm të tillë nga drejtuesit e seancës të bëjnë atë lloj votimi pa kuorum në sallë”, deklaroi Korreshi. Kujtojmë se në seancën e 7 marsit u votua zgjatja me 1 vit e afatit të ligjit për investimet strategjike, projektligji për “Për burimet ujore”, ndryshimet në ligjin “Për Turizmin”, projektligji për Mbrojtjen e Konkurrencës si dhe disa ndryshime në ligjin “Për arsimin dhe formimin profesional”.
Pretendimet e opozitës
Ndërkohë bëjmë me dije se gjatë seancës plenare të 7 marsit, teksa zëvendës/kryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj po drejton votimin e çështjeve në rend të ditës, mes tyre edhe zgjatja me 1 vit e afatit të ligjit për investimet strategjike deputeti Gazment Bardhi e ka akuzuar se po kryen vepër penale pasi në sallë nuk ka kuorum të mjaftueshëm. “Po falsifikon votimin! Ke 68 deputetë në sallë. Po kryen vepër penale. Po shkel Rregulloren, neni 55 pika 4. Po shkel Kushtetutën Nuk ua falim këtë”, dëgjohet të thotë ai. Deputeti Gazment Bardhi hodhi akuza se votimi u bë pa kuorum me 68 deputetë në sallë. Prezencën e votuan 68 deputetë, ndërkohë që duhet të ishin të paktën 71. “Besoj që edhe sot e patë në një seancë ku edhe pse nuk kishte kuorum për votim, rregullorja e përcakton që duhet të kenë votuar pro për prezencën së paku 71 deputetë. Deklarohet se janë 68 deputetë dhe kjo nuk e ndal vrullin për të miratuar ligjin e investimeve strategjike. Sot në drejtimin e seancës nuk ishte Ermonela Felaj, por përfaqësuesja e pesë oligarkëve dhe tre grupeve kriminale që përfitojnë nga ligji i investimeve strategjike. Dua të deklaroj se sipas rregullores asnjë nga aktet ligjore nuk mund të konsiderohet i miratuar ligjërisht. Sipas rregullores së Kuvendit dhe Kushtetueses, neni 55, mund ta lexoni, thuhet se për efekt të kuorumit llogariten vetëm deputetët që kanë marrë pjesë në procesin e votimit, pavarësisht sa janë në sallë. Në votim e deklaroi edhe vetë, morën pjesën 68 deputetë, por për votim duhet të jenë 71 deputetë. Kur falsifikojnë në mënyrë kaq brutale imagjinoni çfarë u bëjnë parave të buxhetit të shtetit. Presidenti duhet të jetë dhe justifikojë rrogën e tij, është një nga procedurat që kryen në verifikim dhe ne po presim që të shprehet njëherë për ligjin e zonave të mbrojtura dhe në paketë të kthejë ligjet që nuk u miratuan sot. PD është e bashkuar ashtu si grupi i PD-së, tani kemi një detyrë dhe përgjegjësi të forcojmë partinë gati për zgjedhje dhe fituese”, deklaroi Bardhi më 7 mars të muajit që shkoi.
