Një analizë e publikuar nga eksperti amerikan i sigurisë kibernetike dhe analisti Patrick Quirk ka ngritur pikëpyetje të forta mbi projektin “Diella”, sistemi i inteligjencës artificiale i prezantuar nga qeveria shqiptare si “ministrja e parë IA në botë”.
Në analizën e tij të gjatë të publikuar në platformën Substack, Quirk pretendon se pas hetimit të infrastrukturës dixhitale të institucioneve shqiptare, ka arritur në përfundimin se “Diella” nuk ka një backend funksional dhe se sistemi rezulton të jetë vetëm një frontend vizual i ndërtuar me Vue.js.
Sipas tij, projekti i promovuar nga Edi Rama si një instrument për luftën kundër korrupsionit në tenderat publikë, nuk përmbante asnjë element real të inteligjencës artificiale.
“Ministrja e parë IA në botë është një komponent Vue.js që shfaq një kostum dhe një emër”, shkruan Quirk në analizën e tij.
Ai pretendon se gjatë hetimit ka shkarkuar rreth 32 GB dokumente nga API-të publike të Parlamentit të Shqipërisë, duke përfshirë të dhëna mbi pagat e deputetëve, dokumente parlamentare dhe arkiva të tjera të aksesueshme pa autentikim.
Sipas analizës, sistemi i Parlamentit shqiptar kishte endpoint-e të hapura pa masa sigurie, ndërsa dokumentet ishin të aksesueshme publikisht përmes Azure Blob Storage.
Eksperti pretendon gjithashtu se në analizën e paketës JavaScript të “Diellës” nuk ka gjetur asnjë endpoint API, lidhje me OpenAI, Azure Cognitive Services apo ndonjë shërbim funksional IA.
Në artikull përmendet edhe arrestimi në vitin 2025 i ish-drejtoreshës së AKSHI, Mirlinda Karçanaj, për akuza që lidhen me tenderat publikë, duke e lidhur këtë me narrativën e projektit “Diella”, i cili ishte prezantuar si një mekanizëm kundër korrupsionit.
Quirk argumenton se Shqipëria ka promovuar publikisht një model të avancuar të qeverisjes me inteligjencë artificiale, ndërkohë që, sipas tij, infrastruktura bazë dixhitale dhe siguria kibernetike mbeten problematike.
“Nuk mund të automatizosh mbikëqyrjen e një sistemi që nuk e ke siguruar”, shkruan ai.
Në analizë përmenden gjithashtu rrjedhjet masive të të dhënave në Shqipëri gjatë viteve të fundit, përfshirë publikimin e databazave me të dhëna personale dhe pagat e qytetarëve, si dhe sulmet kibernetike iraniane ndaj sistemeve shtetërore shqiptare.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga Qeveria e Shqipërisë apo AKSHI lidhur me pretendimet e ngritura në këtë analizë.
