Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari deklaroi se njoftimi i Ambasada e SHBA në Tiranë për sulme të mundshme nga Irani nuk përbën një alarm specifik për Shqipërinë, por një paralajmërim rutinë.
Në një konferencë për mediat, Lamallari theksoi se institucionet shqiptare kishin marrë masa të shtuara sigurie shumë kohë përpara publikimit të këtij njoftimi, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Sipas tij, strukturat ligjzbatuese kanë bërë vlerësim të plotë të riskut dhe kanë hartuar plane konkrete për mbrojtjen jo vetëm të hapësirave publike, por edhe të infrastrukturës kritike në vend.
“Policia e Shtetit është në gatishmëri të shtuar dhe këto masa janë marrë prej kohësh. Nga komunikimet me strukturat përkatëse dhe përfaqësuesit e ambasadës, është konfirmuar se bëhet fjalë për një njoftim standard, i njëjtë me ato që jepen edhe për vende të tjera,” u shpreh ministri.
Lamallari paralajmëroi gjithashtu se përhapja e dezinformimit mbi këtë çështje mund të ndikojë negativisht, përfshirë edhe në aspektin ekonomik të vendit.
Në të njëjtën dalje publike, ai preku edhe çështjen e monopatinave, duke theksuar se, bazuar në të dhënat aktuale, nuk është në favor të një nisme të re ligjore për rikthimin e tyre në qarkullim.
