Berisha takon 71 të rinjtë e zgjedhur në Këshillin Kombëtar: Jeni motori i ripërtëritjes së PD-së dhe Shqipërisë

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me 71 të rinjtë e zgjedhur në Këshillin Kombëtar të PD-së, duke vlerësuar rolin e tyre në procesin e ripërtëritjes dhe modernizimit të forcës politike që ai drejton.

Në aktivitet ishte i pranishëm edhe eurodeputeti i Partisë Popullore Europiane, Antonio Lopez-Isturiz, ndërsa fokusi i diskutimeve u përqendrua tek përfshirja e brezit të ri në vendimmarrjen politike dhe sfidat e së ardhmes së Partisë Demokratike.

Gjatë fjalës së tij, Berisha e cilësoi grupin e të rinjve si elementin më të rëndësishëm të procesit të reformimit të partisë, duke theksuar se energjia, vizioni dhe angazhimi i tyre janë të domosdoshme për të ardhmen e PD-së dhe të vendit.

“Kjo audiencë është audienca e shpresës, jo vetëm për Partinë Demokratike, por edhe për Shqipërinë. Procesi i ripërtëritjes së partisë ka nevojë për vektorë të rinj dhe askush nuk e përfaqëson më mirë këtë mision sesa ju”, u shpreh Berisha.

Ai vlerësoi kontributin e të rinjve në demokratizimin dhe modernizimin e strukturave të partisë, duke nënvizuar se pjesëmarrja e tyre aktive ka sjellë energji të reja dhe ka forcuar organizimin politik të PD-së.

Sipas kreut demokrat, zgjedhja e tyre në Këshillin Kombëtar përfaqëson një fillim të rëndësishëm në karrierën politike, por edhe një përgjegjësi për të kontribuar në realizimin e objektivave të partisë.

“Ju jeni vizioni i së ardhmes. Potenciali që keni mund t’ju bëjë faktorë të rëndësishëm në arritjen e qëllimeve tona politike dhe në përmbushjen e misionit që keni marrë përsipër”, deklaroi Berisha.

Takimi u zhvillua në kuadër të angazhimit të Partisë Demokratike për të rritur përfaqësimin e brezit të ri në strukturat drejtuese, ndërsa drejtuesit e partisë e konsiderojnë këtë proces si një hap të rëndësishëm për forcimin dhe rinovimin e opozitës shqiptare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related