Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se kryeministri Edi Rama nuk do të pranojë kurrë heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, pasi sipas tij kjo do ta implikonte drejtpërdrejt edhe vetë Ramën.
“Edi Rama e di se, bashkë me Ballukun, në bankën e akuzave është i detyruar të ulet edhe ai vetë,” u shpreh Berisha.
Ai tha se në dy përfaqësi të rëndësishme ndërkombëtare, Geron Meçe ka dhënë detaje të plota mbi implikimin e Ramës në aferat e AKSH-it, duke përfshirë edhe familjarë të tij. Sipas Berishës, kjo dosje ka tronditur kancelaritë evropiane për shkak të përmasave dhe materialeve komprometuese që përmban.
“AKSH-i është dosja që tejkalon çdo imagjinatë. Ka qindra mijëra video dhe fotografi dhe Rama është kokë e këmbë i damkosur,” deklaroi ai.
Në përfundim, Berisha akuzoi kryeministrin se po luan me fatin e vendit për të mbrojtur krimet e tij dhe u bëri thirrje qytetarëve të marrin fatin në duart e tyre, duke e cilësuar 10 shkurtin si një ditë vendimtare për reagim qytetar.
