Deputeti i Partia Demokratike, Saimir Korreshi, ngriti në Kuvend shqetësime të forta lidhur me gjendjen në spitalin e Lushnjë gjatë interpelancës me ministren e Shëndetësisë Evis Sala.
Nga foltorja e Kuvendit, Korreshi kritikoi kushtet në spital, duke pretenduar se mungojnë materialet bazë mjekësore dhe se pacientët përballen me ushqim minimal.
“Mirëmëngjes zonja ministre, uroj të keni ngrënë mëngjes”, tha ai ironikisht, ndërsa tregoi një foto që sipas tij paraqiste mëngjesin e pacientëve: “një gotë kos dhe një copë bukë”.
Deputeti demokrat pretendoi se auditimet në spital kanë evidentuar kushte të papërshtatshme në magazina dhe kuzhinë, duke shtuar se godina e re e spitalit nuk është përfunduar, ndërsa shërbimet po ofrohen prej muajsh në ambiente të amortizuara.
Korreshi ngriti gjithashtu shqetësime për mungesën e materialeve higjieno-sanitare.
“Atje mungon alkooli, dorezat. I thotë mjekja infermieres: ‘Bjer alkoolin’. Infermierja vjen vërdallë dhe e bën me ujë”, deklaroi ai.
Në fund të fjalës së tij, deputeti i PD-së kërkoi nga ministrja që të vizitojë personalisht ambientet e spitalit dhe të verifikojë situatën në terren.
