Ashtu siç e kishte paralajmëruar, dje kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me diasporën shqiptare në Itali në pallatin e sportit në “Busto Arsizio” lokalitet afër qytetit të Milanos. I shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama, ministrja e shtetit Elisa Spiropali dhe disa kryebashkiakë, avioni “Migjeni” zbriti në Malpensa, në orën 11:00 ku u prit nga ambasadorja shqiptare në Itali dhe më pas u nis drejt Pallatit të Sportit. Mijëra shqiptarë që kishin mbushur pallatin e sportit e pritën me entuziazëm kryeministrin Rama. Fillimisht ky i fundit u ndal gjatë në kalvarin e vuajteve të shqiptarëve dhe paragjykimeve te mediave italiane. Kryeministri lartësoi figurën e shqiptarëve që punuan për të përmbysur imazhin. Ndërkohë në takimin me shqiptarët në Itali kryeministri Edi Rama ka folur edhe për paragjykimet ndaj emigrantëve shqiptarë shumë vite më parë. Kreu i qeverisë kujtoi edhe thirrjet e Umberto Bossit, ish drejtues i “Lega Nord”, që shqiptarët të vriten në mes të detit. Po ashtu, Rama zbuloi se djali i tij bleu në Shqipëri diplomë në universitetin privat ‘Kristal’ në kohën e Berishës.“Në sytë e italianëve të viteve ’90, asgjë nuk e lidhte Shqipërinë e para luftës, provincën e dikurshme të Italisë kujtimi i së cilës ishte flakur në mbeturinat e historisë italiane të fashizmit me Shqipërinë komuniste që pikërisht nga ajo e kaluar ishte mbarsur si pjella e imponuar e një shtatzënie të mbrapsht. E kush nuk i kujton ato kohë me damkën: “E’ stato un albanese”, kur zienin debatet në kanalet politike italiane. Ishte koha e një farë Umberto Bossi, një tip që bëri thirrje që shqiptarët të vriteshin në det me pushkët e ushtrisë, një personazh që dukej sikur kishte dalë nga filmat komikë i cili këtej e bëri çorap Italinë, andej shkoi, i bleu djalit diplomën tek një nga ato universitetet Kristal dhe Vitrina të Saliut të dytë”, u shpreh Rama. Kujtojmë se Renzo Bossi, djali i Umberto Bossit, mori disa vite më parë diplomën e studimeve universitare në Shqipëri, kjo sipas hetimeve të Prokurorisë së Napolit dhe Milanos mbi partinë “Lega Nord”. Bëhet fjalë për një diplomë për Administrim Biznes, që u lëshua nga universiteti privat “Kristal” në shtator të 2010-s. Sipas mediave italiane, asokohe dyshohej se diploma e Renzo Bosit të jetë paguar me paratë e Lega Nord.
Reagon PD
Ndërkohë sekretari i Përgjithshëm i PD, Enkelejd Alibeaj, ka publikuar pamjet nga takimi i Ramës në Itali, ku shiheshin militantët e PS duke i marrë me dhunë banderolën disa emigrantëve të cilët kërkojnë votën e diasporës. Në një postim në “Facebook”, Alibeaj shkruan se ky është realiteti i një ligjërimi kryeministror që flet për gjithçka dhe nuk mban përgjegjësi për asgjë.“Pas fasadës së takimeve të Edi Ramës me diasporën, fshihet përpjeka e militantëve të tij, që e shoqërojnë me porosi nga Shqipëria, për të moslejuar pikërisht votën e diasporës. Ky është realiteti i një ligjërimi kryeministror që flet për gjithçka dhe nuk mban përgjegjësi për asgjë. Kjo është fryma përçarëse që po mundohet të përhapet edhe në diasporë. Edi Rama dhe PS kanë frikë nga vota e diasporës, sepse keqqeverisja dhe korrupsioni i kësaj qeverie është arsye kryesore e largimit të shqiptarëve.Ndaj vetëm propozimet tona për votën e diasporës e zgjidhin përfundimisht këtë çështje”, shkruan Alibeaj. Ndërkaq edhe anëtari i Kryesisë së PD, njëkohësisht Sekretari për Burimet njerëzore dhe Koordinimin Dixhital, Endri Hasa, ka reaguar dje përmes një postimi në “Facebook”, teksa e ka cilësuar propagandë bajate show-n e Ramës në Itali.Sipas tij, kryeministri Rama po tenton të përçajë diasporën nga frika e votës së tyre kundër qeverisë.“Edi Rama vazhdon propagandën bajate dhe bën gjithçka për të vjedhur suksesin e atyre që me shumë sakrifica dhe pa ndihmën e asnjë qeverie në Tiranë kanë ndërtuar jetën e tyre në Europë.Ata kërkesat i kanë të thjeshta: duan tu mundësohet vota dhe duan që taksat e tyre dhe pasuritë e atdheut të tyre të mos ti vjedhë korupsioni qeveritar. Vetingu në politikë dhe vota e Diasporës kanë mbi gjashtë muaj qe janë depozituar në kuvend nga Partia Demokratike e Shqipërisë por vazhdojnë të mbahen bllokuara sepse të korruptuarit janë bërë bashkë. Gjithçka që Rama bën është shoë, ai ka frikë nga vota e lirë e diasporës sepse ai është shkaku kryesor i emigrimit të Shqiptarëve, sepse Edi Rama është Nona e Korrupsionit! Edi Rama duhet të largohet sa më parë! Kur të ikë ai dhe qeveria e tij e korruptuar do të rikthehen Shqiptarët”, shkruan Hasa.
