Pas ndërprerjes së fjalës në seancën plenare nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, kreu i PD-së, Sali Berisha, foli për mediat jashtë ambienteve të Parlamentit, duke akuzuar mazhorancën për shkelje të Kushtetutës dhe mbrojtje të korrupsionit.
Berisha deklaroi se protesta e 10 shkurtit ka tronditur qeverinë, duke u shprehur se “ua ka luajtur fiqirin” përfaqësuesve të saj. Sipas tij, Kuvendi është kthyer në një mburojë për zyrtarët e akuzuar dhe po pengon drejtësinë përmes mosheqjes së imuniteteve.
“10 shkurti u ka luajtur fiqirin dhe nuk dinë ku janë e çfarë flasin. Kuvendi është në shkelje të rëndë të Kushtetutës, është shndërruar në mburojë të vjedhjes së qytetarëve dhe është kthyer në strofukullën e fundit të hajdutëve dhe vjedhjeve të Ballukut, Ramës dhe ministrave,” u shpreh ai.
Berisha theksoi se, sipas tij, fjala e fundit u takon qytetarëve dhe i bëri thirrje mbështetësve për mobilizim në protestën e paralajmëruar më 20 shkurt.
“U mbetet qytetarëve të thonë fjalën e fundit për imunitetet e tyre. 20 shkurti është dita e tyre. Qytetarë, jeni ju që do të vendosni Kushtetutën dhe ligjet në këtë vend,” deklaroi Berisha.
