Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi nga foltorja përballë Kryeministrisë se veprimet e qeverisë aktuale po e çojnë Shqipërinë drejt një izolimi europian të rrezikshëm. Ai theksoi se Partia Demokratike ka qenë shtylla kryesore e integrimit të vendit në Europë, duke përmendur arritje si Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, liberalizimin e vizave dhe marrjen e statusit të vendit kandidat.
Berisha akuzoi qeverinë se me qëndrimet kundër drejtësisë dhe institucionet e pavarura po dëmton rëndë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe po rrezikon të ardhmen e vendit. Sipas tij, dita e nesërme përfaqëson një moment vendimtar për rrugën europiane të Shqipërisë.
Në fjalën e tij, lideri i opozitës përdori tone të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, duke paralajmëruar se izolimi politik dhe përballja me qytetarët do të kenë pasoja të rënda. Berisha u shpreh se historia nuk fal dhe se çdo udhëheqës që e shkëput vendin nga Europa dhe sundimi i ligjit përfundon i izoluar politikisht dhe moralisht.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të reagojnë dhe të mbrojnë të ardhmen europiane të Shqipërisë përmes qëndresës qytetare dhe protestës.
