Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas votimit në Kuvend ku mazhoranca rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e deputetes socialiste Belinda Balluku.
Nga protesta e opozitës para Kuvendit, Berisha deklaroi se vendimi i mazhorancës për të mos lejuar arrestimin e Ballukut përbën, sipas tij, një moment që shënon fundin politik të kryeministrit Edi Rama.
Sipas Berishës, votimi i sotëm nuk ishte një mbrojtje për Ballukun, por një përpjekje e kryeministrit për të mbrojtur veten dhe qeverinë nga akuzat për korrupsion.
“Rama sot shënoi fundin dhe vetëvrasjen e tij politike. Nuk votoi për Ballukun, por për të mbrojtur veten dhe krimet e tij”, deklaroi Berisha para protestuesve.
Protesta e opozitës po zhvillohet paralelisht me seancën plenare në Kuvend, ku u votua kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes socialiste. Situata jashtë Parlamentit është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.
