Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të shtunë një tjetër foltore me demokratët në Kurbin, ku u ndal te akuzat për korrupsion ndaj qeverisë dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se hetimet kanë zbuluar se Balluku disponon rreth 300 apartamente, pasuri që sipas tij janë siguruar përmes taksave të qytetarëve dhe përfitimeve nga ndërtimet publike.
“Një dosje e parë u hetua dhe në shfletimet e para rezulton se një zv.kryeministre disponon 300 apartamente. As ju dhe as unë nuk e merrnim me mend një gjë të tillë. Janë paratë tuaja, taksat tuaja, paratë e shkollave të fëmijëve tuaj”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se kjo, sipas tij, nuk është lista e plotë e pasurive dhe se hetimet do të nxjerrin në dritë edhe fakte të tjera. Berisha përmendi gjithashtu persona të afërt me kryeministrin, duke i akuzuar për pasuri marramendëse të krijuara nga fondet publike.
“Njerëzit më të afërt të kryeministrit kanë pasuri luksoze pa asnjë kufi. Flitet për shishe vere me vlerë miliona euro, për jahte dhe pasuri që nuk i kanë pasur as diktatorët më të njohur në botë”, tha ai.
Sipas Berishës, këto janë prova të një korrupsioni të thellë dhe të organizuar, ndërsa theksoi se opozita është më e përgatitur se kurrë për t’u përballur me qeverinë.
“Jemi në një moment kritik, por jemi gati t’u japim atë që meritojnë”, përfundoi Berisha, duke i bërë thirrje mbështetësve për mobilizim dhe qëndresë politike.
