Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të shtunë foltoren e radhës me demokratët në Kurbin, ku lëshoi akuza të forta ndaj qeverisë dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal te pasuritë e Ballukut, duke deklaruar se ajo zotëron dy jahte dhe se kjo pasuri, sipas tij, është ndërtuar përmes parave publike dhe abuzimit me fondet e qytetarëve.
“Një ish-babysiter që mezi siguronte kafshatën e gojës në Athinë, u kthye punonjëse bashkie dhe sot ka dy jahte me paratë tuaja. Jemi në një kohë kritike, por më të vendosur se kurrë për t’u përballur me këtë regjim”, u shpreh Berisha.
Ai përdori një gjuhë të ashpër politike, duke deklaruar se nëse do të ekzistonte dënimi me vdekje, Balluku do të meritonte dy të tilla për dëmet që, sipas tij, i janë shkaktuar qytetarëve. Berisha akuzoi gjithashtu mazhorancën se po bllokon drejtësinë, duke mos lejuar heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres.
Sipas tij, mbledhjet parlamentare po përdoren për të zvarritur proceset ligjore, ndërsa kryeministri po ndërhyn drejtpërdrejt për të shmangur përgjegjësinë penale të zyrtarëve të lartë.
“Ne përmbysëm një diktaturë dhe do ta përmbysim edhe këtë regjim, në mënyrën më të vendosur dhe më të shpejtë”, deklaroi Berisha para mbështetësve të tij.
Foltoria në Kurbin u shoqërua me thirrje për mobilizim politik dhe presion qytetar, ndërsa opozita vijon akuzat për korrupsion dhe pengim të drejtësisë nga qeveria.
