Armando Broja është rikthyer te goli në Angli pas një mungese shumë të gjatë, duke u bërë vendimtar për Bërnlin në Premier Ligë. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare shënoi në minutën e 90-të, duke i dhënë ekipit të tij barazimin 1-1 ndaj Bërnmuth.
Goli i Brojës erdhi në një moment kritik dhe shërbeu për të shmangur një tjetër humbje për Bërnlin, që po lufton për mbijetesë. Festa ishte e madhe në fundin e ndeshjes, pasi ekipi arriti të marrë një pikë jetike pas një serie rezultatesh negative.
Statistikat e këtij goli janë domethënëse. Broja nuk shënonte në Angli që prej 6 janarit 2024, kur realizoi me Çelsin në Kupën FA ndaj Preston. Ndërsa goli i fundit i tij në Premier Ligë datonte më 2 tetor 2023, çka e bën këtë rikthim edhe më të veçantë. Kjo periudhë e gjatë pa gol ka qenë e ndikuar edhe nga dëmtimet e shumta që sulmuesi ka kaluar.
Për Brojën, ky realizim duket se theu një “mallkim”. Ai gëzoi pikën e parë me fanellën e Bërnlit, pasi në dhjetë ndeshjet e mëparshme ku kishte marrë minuta loje, ekipi ishte larguar gjithmonë nga fusha me humbje.
Një gol që mund të shënojë kthesë, si për Brojën personalisht, ashtu edhe për Bërnlin në vazhdimin e sezonit.
