Një anije ruse ngarkesash e quajtur Ursa Major u mbyt në Detin Mesdhe, pasi një shpërthim përfshiu dhomën e motorit, dhe dy anëtarë të ekuipazhit janë ende të zhdukur, njoftoi të martën Ministria e Jashtme e Rusisë.
Anija, e ndërtuar në vitin 2009, ishte nën kontrollin e Oboronlogistika, një kompani pjesë e operacioneve të ndërtimit ushtarak të Ministrisë Ruse të Mbrojtjes, e cila kishte njoftuar më parë se anija ishte në rrugë për në portin e Vladivostokut në Lindjen e Largët Ruse.
Qendra e krizave e Ministrisë së Jashtme deklaroi se 14 nga 16 anëtarët e ekuipazhit ishin shpëtuar dhe dërguar në Spanjë, por dy ishin ende të zhdukur. Nuk u dha asnjë informacion mbi shkakun e shpërthimit në dhomën e motorit.
Ambasada e Rusisë në Spanjë, e cituar nga agjencia shtetërore ruse RIA, tha se po hetonte rrethanat e mbytjes dhe ishte në kontakt me autoritetet spanjolle.
