Berisha: Kërkoj dorëheqjen e Ramës dhe ftoj qytetarët në protestën kombëtare të 24 janarit

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një dalje live për mediat, u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën kombëtare të 24 janarit dhe të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të cilin e cilësoi si përgjegjësin kryesor për, sipas tij, prishjen dhe manipulimin e provave që lidhen me çështjen Balluku.

Berisha deklaroi se makineria e manipulimit dhe e shkatërrimit të dokumenteve që, sipas tij, faktojnë përfshirjen e Edi Ramës, Belinda Ballukut dhe bashkëpunëtorëve të tyre në afera shumë të rënda korruptive, që arrijnë në miliarda euro vjedhje të taksapaguesve shqiptarë, po funksionon pa ndërprerje.

Ai akuzoi qeverinë se po ushtron presion dhe intimidim ndaj punonjësve të administratës publike, të cilët, sipas tij, thirren dhe trajtohen si në zyrat e policisë sekrete, me qëllim që të ndryshojnë dëshmitë ose të mos dëshmojnë fare.

Sipas Berishës, presioni nuk kufizohet vetëm te dëshmitarët, por shtrihet edhe mbi institucionet e drejtësisë, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, duke cenuar rëndë pavarësinë e saj.

“Edi Rama, për të mbrojtur veten dhe krimet e tij, po shkon drejt një grushti shteti institucional dhe drejt asgjësimit de facto të drejtësisë në Shqipëri,” u shpreh Berisha, duke i cilësuar këto veprime si të papërgjegjshme dhe jashtë çdo standardi demokratik.

Ai kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit dhe largimin e tij nga posti, duke e quajtur atë “njeriun më të rrezikshëm për shqiptarët”, i cili, sipas tij, përbën rrezik edhe për rajonin për shkak të lidhjeve me krimin.

Në përfundim, Berisha dhe Partia Demokratike u bënë thirrje qytetarëve që më 24 janar të flasin me guxim, zemërim dhe dashuri për vendin, duke marrë pjesë masivisht në protestën kombëtare të thirrur nga opozita.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related