Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ironizuar kryeministrin Edi Rama pas deklaratave të këtij të fundit mbi ndikimin e algoritmeve dhe rrjeteve sociale në protestat që po zhvillohen në Tiranë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha publikoi një video satirike ku Rama paraqitet si flamingo, duke iu referuar edhe ndryshimit të fundit të fotografisë së profilit të kryeministrit në rrjetet sociale.
“Kur algoritmi të thotë ‘bëhu flamingo’, por komentet vazhdojnë: ‘Rama, jepe dorëheqjen!’”, shkroi Berisha në postimin e tij.
Ironia vjen pas deklaratave të Ramës, i cili kishte argumentuar se protestat dhe jehona e tyre në rrjetet sociale janë ndikuar nga algoritmet dhe, sipas tij, nga fushata të koordinuara që deformojnë perceptimin publik.
Postimi i Berishës është një tjetër episod i përplasjes politike mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa protestat qytetare në kryeqytet vijojnë të dominojnë debatin publik dhe politik në vend.
