Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka bërë thirrje Prokurorisë së Bashkimit Europian (EPPO) që të nisë hetime mbi atë që ai e cilëson si një “marrëveshje të fshehtë” mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-shefes së diplomacisë europiane, Federica Mogherini, lidhur me ndërtimin e kampusit të Kolegjit Evropian në Tiranë.
Berisha deklaroi se duhet të hetohen të gjitha komunikimet, përfshirë e-mail-et dhe SMS-të, që sipas tij janë shkëmbyer mes Ramës dhe Mogherinit për këtë projekt. Ai përmendi edhe përdorimin e mjeteve të komunikimit të koduar si SkyECC dhe Matrix, për të cilat pretendon se kryeministri i ka përdorur “në raste të tjera të korrupsionit ndërkombëtar”.
Në deklaratën e tij, ish-kryeministri akuzoi Mogherinin se ka lobuar në Bruksel për kryeministrin Rama, duke “mbuluar skandalet” e qeverisë shqiptare dhe duke u angazhuar kundër opozitës. Sipas tij, qytetarët shqiptarë dhe taksapaguesit europianë meritojnë transparencë të plotë për këto çështje.
Berisha kërkoi gjithashtu që EPPO, OLAF dhe autoritetet belge të hetojnë aferat e pretenduara korruptive në blerjen e vilës së ambasadorit të BE-së, një çështje që ai e cilëson si të blerë “2–3 herë më shtrenjtë se çmimi i tregut”. Ai shtoi se opozita ka denoncuar edhe abuzime të mëdha me fondet europiane për bujqësinë, energjinë dhe mjedisin.
“Opozita shqiptare, me mision integrimin e vendit në BE, është e gatshme të kontribuojë në zbardhjen e këtyre abuzimeve,” theksoi Berisha, duke nënvizuar se hetimet janë në interes të taksapaguesve europianë dhe të qytetarëve shqiptarë.
