Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka dhënë detaje të reja mbi incidentin me të shtëna gjatë White House Correspondents’ Dinner, duke e cilësuar autorin si një person me probleme të rënda mendore.
Në një intervistë telefonike për Fox News, Trump deklaroi se i dyshuari kishte shkruar një manifest “shumë antikristian”, duke shtuar se dokumenti përmbante urrejtje të fortë ndaj të krishterëve.
“Bëhet fjalë për një person të sëmurë, që ka ushqyer shumë urrejtje për një kohë të gjatë,” u shpreh ai.
Sipas presidentit amerikan, autori u neutralizua nga forcat e sigurisë përpara se të arrinte të depërtonte në ambientin ku zhvillohej eventi, ku ishin të pranishëm edhe Melania Trump dhe shumë zyrtarë të tjerë.
Trump shtoi se familjarët e të dyshuarit kishin qenë në dijeni të problemeve të tij dhe madje kishin shprehur shqetësime edhe pranë autoriteteve.
“Është një person dukshëm i trazuar mendërisht. Familja e tij mund të kishte reaguar më herët dhe më fort,” deklaroi ai.
Ngjarja ka rritur shqetësimet për sigurinë në eventet e nivelit të lartë në SHBA, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit vijojnë.
