Berisha distancohet nga foltorja e Salianjit: “Aktivitet privat, s’ka lidhje me PD-në — unë foltoren e 2021 e bëra brenda strukturave”

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj nismës së Ervin Salianjit dhe Ilir Alimehmetit për të zhvilluar një foltore me demokratët në qytetin e Durrësit, duke e cilësuar aktivitetin si krejtësisht privat dhe pa lidhje me Partinë Demokratike.

Berisha theksoi se çdo takim apo organizim që zhvillohet jashtë forumeve zyrtare të PD-së nuk mund të ketë ndikim në jetën e partisë dhe mbetet një veprim i pastër individual, i motivuar nga interesa personale.

“Asnjë aktivitet jashtë forumeve të PD nuk mund të ketë ndikimin më të vogël në PD. Çdo aktivitet i tillë është strikt privat, pa asnjë lidhje me PD-në,” u shpreh ai, duke rikujtuar se PD funksionon mbi bazën e statutit, institucioneve dhe forumeve legjitime.

Sipas kreut të opozitës, PD ka nisur mbledhjet dhe debatet e brendshme, të hapura për çdo anëtar dhe drejtues, ndërsa çdo aktivitet paralel nuk përfaqëson partinë dhe nuk ka peshë politike brenda saj.

I pyetur për lidhjen e kësaj nisme me foltoren e vitit 2021, që ai vetë nisi pas përplasjes me Lulzim Bashën, Berisha tha se situatat nuk kanë asnjë ngjashmëri. Ai theksoi se foltorja e tij u zhvillua brenda strukturave të partisë, pasi — sipas tij — kryetari i atëhershëm kishte tradhtuar interesat e demokratëve.

“E bëra brenda strukturave, pasi kreu i strukturave kishte tradhtuar kauzën e mbarë demokratëve. E bëra për të shpëtuar PD nga kontrolli mafioz i Ramës dhe sorosianëve. Rama i kishte hapur dy procese Bashës,” deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së nënvizoi se PD është në një proces të ri organizimi dhe se forumeve të partisë u takon roli kryesor në drejtimin e saj, ndërsa çdo aktivitet i individëve mbetet jashtë këtij kuadri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related