Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë shqiptare dhe ish-përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, për një skandal të ri korruptiv lidhur me ndërtimin e Kampusit të Kolegjit Evropian në Tiranë. Sipas tij, projekti është përdorur për të “vjedhur miliona euro të taksapaguesve shqiptarë dhe europianë”, ndërsa bursat dhe kostoja e jetesës për studentët janë vendosur në mënyrë të paracaktuar e të fryrë artificialisht.
“Plas skandali tjetër i vjedhjes së miliona e miliona eurove me kampusin e Kolegjit Evropian dhe me bursat e studentëve të përcaktuara nga Lubi Mogherini dhe Ramaduro,” u shpreh Berisha, duke aluduar se projekti është produkt i një marrëveshjeje të fshehtë që qeveria nuk e ka bërë publike.
Sipas tij, qeveria ka vendosur të financojë me 17 milionë euro ndërtimin e një kampusi që lidhet me modelin e Kolegjit të Bryzhit, duke marrë truallin e parashikuar më herët për kampusin e studentëve të Universitetit të Tiranës — projekt i cili ekzistonte prej vitesh, por nuk u realizua.
Berisha akuzoi se në këtë proces janë fryrë edhe kostot e jetesës për studentët e Kolegjit Evropian që do të studiojnë në Shqipëri. Ai theksoi se bursa është caktuar në nivelin 27 mijë euro, një vlerë pothuajse sa ajo që paguhet në Belgjikë (29 mijë euro), ndonëse rroga mesatare në Shqipëri është pesë herë më e ulët se ajo në Belgjikë.
“Federica Mogherini dhe Ramaduro kanë fryrë për interesa korruptive koston e jetesës për studentët e Kolegjit Evropian në Tiranë, duke vendosur një bursë thuajse të barabartë me atë të Belgjikës,” deklaroi kreu i opozitës.
Berisha shtoi se sipas informacioneve të publikuara në media, edhe destinacioni i Piramidës është ndryshuar në mënyrë të fshehtë. Objekti, i rikonstruktuar me 16 milionë euro për t’u kthyer në qendër teknologjike për të rinjtë, sipas tij i është vënë në dispozicion Kolegjit Evropian në Tiranë, megjithëse nuk ka transparencë nëse është dhënë për përdorim apo pronësi.
Ai e çoi më tej akuzën, duke e paraqitur këtë rast si skandalin e radhës të lidhur me qeverinë, pas atij që ai pretendon për tunelin e Llogarasë. “E përbashkëta e të dy skandaleve është se protagonist del Edi Rama,” deklaroi Berisha.
