Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë të ditur se forca politike që ai drejton ka vendosur të mbështesë disa kandidatura për postin e Avokatit të Popullit. Sipas tij, emrat janë tashmë të përcaktuar dhe plotësojnë kriteret për të ushtruar me profesionalizëm këtë funksion të rëndësishëm institucional.
Berisha deklaroi se grupi parlamentar i PD-së do të njihet sot me listën e plotë të kandidatëve që partia ka vendosur të mbështesë, ndërsa theksoi se këto propozime janë bërë mbi bazën e vlerësimit të aftësive dhe integritetit të secilit prej tyre.
“PD ka vendosur të mbështesë kandidaturat e saj për Avokatin e Popullit. Janë kandidatura që besojmë se e përmbushin më mirë këtë funksion,” u shpreh kryedemokrati. Ai shtoi se, edhe pse firmat për kandidatura të ndryshme mund të jenë paraqitur, partia ka vendosur të mbështesë vetëm disa emra të përzgjedhur.
“Firmat mund të jenë dhënë, por ne mbështesim disa kandidatura, i kemi të përcaktuara dhe grupi parlamentar do t’i mësojë sot. Ne besojmë se ata e kryejnë më mirë atë detyrë,” deklaroi Berisha.
Procesi i përzgjedhjes së Avokatit të Popullit është aktualisht në fokus të parlamentit, ndërsa PD ka theksuar se qëllimi i saj është mbështetja e një kandidature që garanton pavarësi, profesionalizëm dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
