Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas dhunimit të avokatit Kujtim Cakrani në Vlorë, duke e cilësuar ngjarjen si një akt kriminal shtetëror të shëmtuar.
Në reagimin e tij publik, Berisha shprehet se avokati Cakrani është goditur shtazërisht dhe pa asnjë shkak, vetëm për shkak të detyrës së tij profesionale si mbrojtës ligjor i ish-presidentit Ilir Meta. Sipas tij, ky sulm nuk është një incident i zakonshëm, por një akt i frymëzuar dhe i sponsorizuar politikisht.
“Dhunimi i avokatit Kujtim Cakrani është një krim i parapërgatitur shtetëror. Ai u godit vetëm për shkak të profesionit dhe çështjeve sensitive që ndjek. Përgjegjësia direkte bie mbi Edi Ramën dhe organizatën e tij kriminale”, shprehet Berisha, duke shtuar se drejtësia mund të vonojë, por nuk harron.
Partia Demokratike i ka uruar shërim të shpejtë dhe të plotë avokatit Cakrani, ndërsa ka dënuar me forcën më të madhe aktin e dhunës, duke e cilësuar si një atentat ndaj shtetit të së drejtës dhe sigurisë së profesionistëve të ligjit.
Dinamika e ngjarjes
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30 të ditës së diel, në ambientet e një pike karburanti në rrugën Tranballkanike në Vlorë. Sipas policisë, avokati Kujtim Cakrani është përfshirë në një konflikt me dy persona të paidentifikuar, i cili dyshohet se ka nisur për shkak të pozicionimit të automjetit.
Pas një shkëmbimi fjalësh, njëri prej agresorëve ka hyrë nga dera e pasagjerit dhe e ka goditur avokatin me një mjet prerës në pjesën e pasme të kokës, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Cakrani është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhet i shtruar në reanimacion.
Burime spitalore bëjnë me dije se ai ka pësuar frakturë serioze në kokë dhe aktualisht nuk është në gjendje të qëndrojë në këmbë.
Dëshmia e avokatit
Sipas vetë Kujtim Cakranit, dy persona të panjohur për të e kanë provokuar fillimisht me fjalë fyese dhe më pas e kanë dhunuar fizikisht.
“Ishin dy të rinj me një makinë. Njëri po më ofendonte nga dritarja, ndërsa tjetri hyri nga dera e pasagjerit dhe më goditi pas koke me mjet prerës. Nuk i njoh. Më thanë se kisha parkuar keq makinën, por nuk besoj se ky ishte shkaku i vërtetë”, ka deklaruar ai.
Avokati ka shtuar se për shkak të profesionit dhe çështjeve që ndjek, ka marrë edhe kërcënime në rrjete sociale, por në këtë fazë nuk dëshiron të bëjë lidhje të drejtpërdrejta.
Ndërkohë, policia dhe prokuroria po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
