“Ditë të zeza” për prokurorët dhe gjyqtarët që kanë hyrën në procesin e vetingut, Altin Dumani paralajmëron…

Data

Shqipëria ka hyrë në një fazë vendimtare të reformës në drejtësi, një proces që ka marrë mbështetje të fuqishme nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por që tani është bërë një betejë për të vërtetën, integritetin dhe pastrimin e sistemit të drejtësisë. Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani ka paralajmëruar se “ditët e zeza” po vijnë për ata prokurorë dhe gjyqtarë që kanë abuzuar me detyrën dhe janë përfshirë në skandale korruptive, qofshi këta magjistratë që kanë kaluar apo kanë ngelur gjatë procesit të vetingut.

Nga konferenca për vlerësimin e punës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Institucionit të Komisionerëve Publikë (IKP) në përfundim të mandatit të tyre kushtetues, Altin Dumani u shpreh se reforma në drejtësi ka dhënë frytet e saj. Sipas kreut të SPAK, është goditur pandëshkueshmëria dhe mendësia e vjetër. Me tone të ashpra dhe vendosmëri të palëkundur, Dumani paralajmëroi se procesi i pastrimit të sistemit të drejtësisë nuk do të tolerojë askënd që ka përdorur pushtetin për përfitime personale, duke theksuar se “pandëshkueshmëria po tronditet”.

Reforma në drejtësi

Duke reflektuar mbi arritjet e reformës në drejtësi në shtatë vitet e fundit, Dumani theksoi se puna e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Komisionit të Posaçëm të Apelimit (KPA) ka ndërtuar themelet e një sistemi të ri drejtësie, me integritet dhe profesionalizëm. Megjithatë, ai shtoi se sfida më e madhe tani qëndron te ruajtja e këtij besimi përmes aksioneve konkrete kundër atyre që kanë tradhtuar misionin e tyre si shërbëtorë të ligjit. Dumani nuk nguroi të paralajmërojë se SPAK, si një institucion i pavarur dhe me mision të qartë, do të përqendrohet me intensitet maksimal në administrimin e të gjitha çështjeve të lëna pezull nga Komisionerët Publikë.

“Nga data 31 dhjetor, çdo çështje e papërfunduar do të kalojë në duart tona, dhe ne do të tregojmë se askush nuk është mbi ligjin”, deklaroi ai. Procesi i vetingut, sipas Dumanit, është një barrë e madhe për magjistratët, por njëkohësisht një mundësi historike për të treguar se drejtësia shqiptare mund të shërbejë si model për demokracitë që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian. “Reforma ishte transformuese, një proces gjithpërfshirës që nuk ka qenë i lehtë, por rezultatet e saj do të jenë afatgjata. Është koha që të priten ‘kokat’ e atyre që e kanë çuar drejtësinë në krizë”, shtoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related