Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mori dje pjesë në samitin Rajonal të Partive Popullore Europiane për integrimin e Ballkanit drejt BE-së që zhvillohet në Podgoricë, Mali i Zi, ka denoncuar situatën e rëndë në të cilën gjendet Shqipëria. I pranishëm në panelin e diskutimeve, lideri i opozitës shqiptare u shpreh para drejtuesve të partive simotra të Ballkanit, u shpreh se, në Shqipëri çmimet e ndërtimeve janë më të lartat se në Europë e se këto ndërtime bëhen më para të zeza. “Familjet mafioze të lidhura me pushtetin kontrollojnë trafikun e kokainës. 3-4 ditë më parë, një sondazh europian tregoi se shqiptarët janë konsumuesit më të mëdhenj, numri 1 i kokainës në Europë.
Por nëse vini, çfarë do të gjeni aty? Do të gjeni çmimet më të larta të ndërtimit në Europë. Pas Mynihut dhe Parisit aty do të gjeni çmimet më të larta të metrit katror në ndërtime. Zonja e zotërinj aty gjeni shumë kulla, ku 80 përqind e parave të investuara aty vijnë nga burime të jashtme, para të zeza dhe jo nga burime bankare. Aty do të gjeni dhe euron që ka pësuar një rënie drastike në këmbim. 38 përqind ka rënë eksporti nga Shqipëria në drejtim të vendeve të tjera, dhe çdo vit prodhimi ka shkuar poshtë e më poshtë”, deklaroi ai. Nga ana tjetër, duke folur për mediat, kryedemokrati Berisha tha se, gjatë fjalës së mbajtur në panelin e takimit ku ishte i ftuar, ka treguar shkaqet e pengimit të integrimit të Shqipërisë drejt BE-së.
“Fokusi i takimit ishte Ballkani Perëndimor në Raport me proceset e Integrimit sfidat dhe pengesat. Pata rast të paraqes pikëpamjet e Partisë Demokratike mbi proceset e integrimit të Shqipërisë dhe rajonit. Natyrisht nga këndvështrimi i opozitës, ngadalësimi i këtij procesi ka shkaqe të brendshme sipas vendeve. Narkoshteti në Shqipëri është pengesa kryesore e integrimit të Shqipërisë në BE. Shqipëria si narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë, është jo tërësisht i njohur si i tillë, por unë mendoj se, po kontribuohet gjithnjë e më shumë për të bërë të njohur para elitës politike të qendrës së djathtë Europiane dhe më gjerë, realitetin shqiptar”, nënvizoi dje Berisha.
