Belind Këlliçi deklaroi se raporti më i fundit i Bashkimi Europian për Shqipërinë reflekton shumicën e shqetësimeve që opozita ka ngritur prej vitesh lidhur me korrupsionin, zgjedhjet dhe funksionimin e institucioneve në vend.
I ftuar në një studio televizive, deputeti demokrat tha se ndryshimet mes draftit të muajit shkurt dhe versionit final të raportit të majit tregojnë një ashpërsim të toneve ndaj qeverisë shqiptare dhe një reflektim më realist të situatës politike në vend.
Sipas Këlliçit, raporti trajton çështje që opozita i ka denoncuar prej kohësh, si keqpërdorimi i administratës shtetërore, patronazhimi politik, mungesa e transparencës, pastrimi i parave dhe problemet në sektorin e ndërtimit.
Ai u ndal veçanërisht te referencat që raporti bën për trajtimin e zyrtarëve të lartë dhe çështjen e imunitetit parlamentar, duke e lidhur këtë me rastin e Belinda Balluku.
“Këtu shkëlqen rasti Balluku. Raporti flet për keqardhje ndaj vendimmarrjeve të Kuvendit për mosheqjen e imunitetit dhe për trajtimin e zyrtarëve të lartë”, u shpreh Këlliçi.
Deputeti demokrat përmendi edhe deklaratat e eurodeputetit David McAllister, duke e cilësuar çështjen Balluku si “test kritik” për Shqipërinë në raport me procesin e integrimit europian.
Sipas tij, raporti i ri është shumë më i fortë se drafti i mëparshëm dhe përfituesit kryesorë duhet të jenë qytetarët shqiptarë.
“Këtu nuk përfiton kapital politik vetëm Partia Demokratike. Përfiton gjithë shoqëria shqiptare”, deklaroi ai.
Këlliçi theksoi gjithashtu se për herë të parë raporti përmend drejtpërdrejt rrjetet e patronazhimit politik dhe kërkon krijimin e kushteve të barabarta për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ai shtoi se institucionet europiane tashmë kanë mekanizma më të fortë monitorimi ndaj qeverisë shqiptare dhe nuk do të mjaftohen më me reforma vetëm në letër.
Në fund, deputeti i PD-së deklaroi se opozita duhet të insistojë në krijimin e një qeverie teknike si garanci për proceset e ardhshme zgjedhore.
“Qeveria teknike është domosdoshmëri për zgjedhje të lira dhe për të rikthyer besimin tek demokracia dhe integrimi europian”, përfundoi Këlliçi.
